Grurë, vetëm për 35 % të nevojave të konsumatorëve

Prishtinë | 19 Kor 2016 | 11:31 | Nga

Drejtori i Departamentit të Politikave Bujqësore në Ministrinë e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural (MBPZHR), Isuf Cikaqi, ka thënë se deri më tani korrje-shirjet kanë përfunduar në rreth 60 për qind të sipërfaqes së Republikës së Kosovës.

“Pothuajse në të gjitha komunat është filluar me korrje-shirjet dhe deri më tani është arritur të përfundohet rreth 60 për qind e sipërfaqes në total. Ndërkaq në Sharr ende s’kanë filluar korrje-shirjet për arsye të kushteve klimatike atje mirëpo, sido që të jetë, Sharri ka një sipërfaqe të vogël për korrje-shirjet”, ka thënën Cikaqi për gazetën “Epoka e re”.

Kurse sa i përket rendimentit të pritur të grurit për këtë vit, Cikaqi ka shprehur optimizëm se këtë vit rendimentet e grurit do të jenë më të larta karshi vitit të kaluar. “Është ende herët të flitet për rendimentin me shifra të sakta. Pasi të përfundojnë në total korrje-shirjet, ne e bëjmë një raport nga të gjitha komunat dhe atëherë dalim me rendiment përfundimtar për vitin 2016. E kemi pritje që rendimenti do të jetë më i lartë sivjet se në vitin e kaluar, pasi vitin e kaluar ka qenë 3 400 kg për hektar, ndërsa rendimenti rekord ka qenë në vitin 2012, me 4 600 kg për hektar. Presim që këtë vit rendimenti të jetë 4 400-4 500 kg për hektar, ndoshta edhe shumë”, ka deklaruar ai.

Ndërkaq sa i përket subvencionimit nga Ministria e Bujqësisë, Cikaqi ka thënë se karshi vitit të kaluar nuk është rritur shuma e subvencionimit për hektar, mirëpo është rritur numri i kulturave që janë subvencionuar. Sipas tij, shuma totale e subvencionimit për grurë ka qenë mbi gjashtë milionë euro.

“Shuma e subvencionuar është e njëjtë me atë të vitit të kaluar, por këtë vit është rritur numri i kulturave bujqësore që janë përfshirë në subvencionim, pasi është subvencionuar gruri për farë luledielli, elbi dhe thekra. Shuma e subvencionuar për një hektar grurë merkatin ka qenë 150 euro, kurse për grurë për farë 250 euro për hektar. Ndërkaq vetëm për grurë shuma e subvencionimi ka qenë 6 milionë e 500 mijë euro”, ka thënë ai.

Në anën tjetër, kryetari i Federatës Sindikale të Bujqve të Kosovës (FSBK), Tahir Tahiri, ka deklaruar për gazetën “Epoka e re” se në bazë të parametrave që ai posedon, sivjet në Kosovë nga rendimentet e grurit pritet të këtë furnizim për tregun e brendshëm vetëm për 30 apo 35 për qind të nevojave të konsumatorëve.

Ai ka kontestuar të dhënat e Ministrisë së Bujqësisë sa i përket rendimentit të dhënë të grurit për një hektar tokë. “Këto janë konstatime të fryra. Asnjëherë në Kosovë mesatarja prej 4 mijë kilogramësh nuk është arritur.

Sivjet është gruri më i mirë dhe priten rendimet më të larta, rreth 3 500 kg maksimumi. Rendimenti është më i lartë për shkak të kushteve klimatike, e jo për shkak të mbështetjes nga Qeveria. Kështu që, sivjet, në bazë të të gjitha rrethanave të tjera, ne s’mund ta sigurojmë bukën më shumë se për 30 apo 35 për qind për nevojat e popullatës”, ka deklaruar Tahiri.

Ai ka thënë se bujqit në Kosovë gjenden në një situatë disfavorizonte për shkak të konkurrencës jo-lojale dhe mosdhënies së subvencioneve në kohën e duhur. “Qeveria nuk është duke krijuar kushte të favorshme, por vetëm është duke e dëmtuar bujqësinë, sepse sjell plehra të nivelit jashtëzakonisht të dobët dhe fara false.

Bujqit s’po kanë para për ta blerë farën dhe po e mbjellin me farë të grurit të hambarit, prandaj me këto kushte nuk arrihen katër mijë kg. Meqë ekonomia jonë është në mjerim, bujku është i detyruar ta kursejë plehun dhe në vend se t’i hedhë në arën e tij 700 apo 800 kg plehra në hektar, ai është i detyruar t’i hedhë 200 apo 250 kg. Madje edhe pesticidet janë të kualiteti të dobët.

Janë shumë faktorë që ndikojnë që ne s’i kemi standardet për t’i arritur 4 mijë kg. Madje, tani veç ka filluar koha e korrje-shirjeve, kurse bujqit ende s’i kanë marrë subvencionet për vitin 2015, e subvencionet duhet të merren në kohë, pasi bujqit duhet të stimulohen, e jo kur të përfundojë tërë procesi”, ka deklaruar ai. Sipas tij, sfidë tjetër me të cilën përballen bujqit është edhe konkurrenca në mes të kombajnave dhe vjetërsimi i tyre.

“Korrje-shirjet janë duke shkuar mirë, me përjashtim të një numri të konsiderueshëm të kombajnave për shkak të konkurrencave i ngasin më shpejt dhe derdhet një sasi e konsiderueshme e gruri”, ka thënë ai.
Tahiri ka thënë se te ne nuk përfillen çmimet e berëzës ndërkombëtare të grurit meqë, sipas tij, Qeveria e Kosovës ka gërshetuar interesat me një numër tregtarësh.

“Te ne berëza e çmimeve s’mund të ndikojë, pasi mullisët janë të papërgjegjshëm dhe këtë e dinë shumë mirë edhe përfaqësuesit e Qeverisë, por interesat i ndajnë së bashku. Një numër i tyre shkojnë në Serbi e marrin grurin me çmime të ulëta. Ata na sjellin grurë të kualitetit jashtëzakonisht të dobët dhe mielli që shitet është i pa pasuruar.

Çmimi i grurit çdo kund dhe çdoherë në botë përcaktohet nga berëza. Mirëpo te ne nuk ka rregull të lojës, sepse ku ka rregulla çmimi përcaktohet nga berëza. Te ne bëhen dallavere, prandaj merret në Serbi gruri i rezervave.

Berëza përcaktohet nga gruri i freskët dhe kualitativ, kurse te ne vjen gruri nga rezervat e shtetit e që do të duhej të shkonte për ushqim të kafshëve”, është shprehur Tahiri.

Ai ka theksuar se Serbia në masë të madhe është duke e dëmtuar tregun e Kosovës dhe shëndetin e konsumatorëve tanë, meqë, sipas tij, pikërisht në kohën e korrje-shirjeve importon në Kosovë grurë të rezervave e të vjetër tri apo katër vjet.

“Mielli që shitet në Kosovë është i mullinjve tanë, por lind pyetja nga ka ardhur gruri. 60 deri në 70 për qind e grurit vjen nga Serbia, e që është gruri më i dobët i rezervave të shtetit, i cili ka qëndruar tri apo katër vjet në rezerva.

Serbia para fushatës së korrje-shirjeve e shet grurin që ka qëndruar në rezervë. Ai lloj gruri e humb vlerën dhe kualitetin. Unë te mullisët tanë kam parë kamionë nga Serbia në fushatën e korrje-shirjeve”, ka deklaruar ai.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme