Qeveria e Kosovës është duke bërë një damping me rroga ndaj sektorit privat. Tregu i punës nuk caktohet në bazë të meritave, por caktohet me vendime politike, për t’i fituar zgjedhjet dhe kjo është arsyeja që e ka prish tregun e punës në Kosovë.
Kështu tha Burim Ejupi nga organizata INDEP në tryezën me temë “Garë për punësim në sektorin publik? Çfarë qëndron pas saj?, të organizuar në Grupi për Studime Juridike dhe Politike (GSJP), raporton Ekonomia Online.
“Sektori privat është duke punuar për sektorin publik, në njëfarë mënyre janë duke e ngulfatur sektorin privat, kur dihet se në sektorin privat rrogat nuk mund të caktohen në bazë të preferencave politike, por rrogat minimale dhe ato më të mëdhatë i cakton në bazë të performancës biznes-ore”, tha ai.
Kryetari i Bashkimit të Sindikatave të Punëtorëve të Kosovës, Haxhi Arifi, tha se nga përfundimi i luftës në Kosovë shumica e punësimeve në sektorin publik bëhen në baza të lidhjeve apo në baza të përkatësisë partiake, se sa në bazë të aftësimit profesional.
Sipas tij, shembulli më i mirë për këtë konstatim është edhe rezultati i PISA-s që është një indikator për gjendjen alarmante në arsim.
“Po të funksiononte Ligji i Punës dhe ligjet e tjera që janë në Kosovë edhe sektori privat do të ishte atraktiv për kuadrot e punëtorët e kualifikuar”, u shpreh Arifi.
Ndërsa, Nora Latifi Jashari nga Instituti GAP, tha se sektori publik në Kosovë është punëdhënësi më i madh.
“Rritja e pagave në sektorin publik nuk është bërë sipas sistemit të meritës dhe vlerësimit kjo ndodhë zakonisht në prag të zgjedhjeve”, tha ajo.
Ajo më tej tha se “të gjitha raportet ndërkombëtare, por edhe dokumentet strategjike të Qeverisë e pranojnë se sektori publik në Kosovë është i mbingarkuar me staf, dhe duhet të bëhet një riformatim i administratës.
Esmeralda Shehaj, profesoreshë në Universitetin Publik të Tiranës, tha se në të dyja vendet ka një pjesë të madhe të pa punësisë dhe kjo është më e theksuar te femrat dhe tek të rinjtë. Po ashtu ajo tha se një hendek në lidhje me pagat e dy sektorëve.
Ajo ka theksuar se ka shkallë të lartë të in-formalitetit jo vetëm në mënyrën e të bërit biznes, por edhe për shkak të përcaktimit të pagave.
“Kjo ka qenë njëra ndër arsyet që e ka ndaluar studimin e përcaktimit të pagave në të dy vendet. Në sektorin publik 20 për qind janë të punësuar, ndërsa në Kosovë 30 për qind. Sektori publik duke pasur një peshë kaq të lartë, zë edhe një rol shumë të rëndësishëm në mënyrë se si përcaktohen pagat, dhe se si përcaktohen praktikat e punësimit në të dy vendet”, tha ajo.