Sergio Aguero është shumë afër t’i bashkohet Barcelonës nga sezoni i ardhshëm, sipas trajnerit të Manchester City, Pep Guardiola.
Aguero do të largohet nga Etihad Stadium kur t’i mbarojë marrëveshja me klubin gjatë kësaj vere. 32-vjeçari po largohet si një legjendë e klubit dhe si golashënuesi më i mirë në historinë e Cityt me 260 gola në 389 ndeshje.
Është thënë se sulmuesi argjentinas ka arritur tashmë marrëveshje dyvjeçare me Barcelonën, ku do të luante përkrah bashkatdhetarit të vet, Lionel Messi.
U duk se këtë e konfirmoi edhe trajneri i tij aktual, Pep Guardiola, në konferencën e tij pas fitores së City 5:0 kundër Evertonit në ditën e fundit të sezonit në Premierligë.
“Mbase mund ta zbuloj një fshehtësi. Mbase ai është afër të arrijë marrëveshje me klubin e zemrës sime, Barcelonën”, tha Guardiola.
“Ai do të luajë përkrah lojtarit më të mirë në histori, Messi. Jam i sigurt se do t’i pëlqejë. Dhe ndoshta Barcelona do të jetë më e fuqishme me të në fushë”, shtoi ai.
Aguero i shënoi dy gola në paraqitjen e tij të fundit në Etihad, duke i ndihmuar kampionit të ri të Premierligës ta mbyllë sezonin në stil me fitore bindëse ndaj Evertonit.