Të luash kundër Atalantas është si të shkosh te dentisti. Kështu ka vlerësuar trajneri i Manchester Cityt, Pep Guardiola, pasi kampioni në fuqi i Anglisë në futboll u ndal në një barazim 1:1 në Ligën e Kampionëve të mërkurën mbrëma nga skuadra e Serie A të Italisë.
Atalanta po luan për herë të parë në Ligën e Kampionëve dhe kishte humbur tri ndeshjet e para të Grupit C, përfshirë edhe atë me shifrat 5:1 në udhëtim ndaj Cityt. Por Guardiola ka thënë se bilanci i dobët nuk nënkupton se Atalanta është skuadër e lehtë për t’u mposhtur.
“Gjithë italianët do t’u thonë se të marrësh katër pikë ndaj Atalantas është sukses i madh”, ka thënë Guardiola, që u desh të përdorte tre portierë në ndeshje. Pasi Ederson u lëndua, në vend të tij u paraqit Claudio Bravo, i cili më pas u përjashtua me të kuq dhe mbrojtësi Kyle Walker përfundoi në portë në minutat e fundit, shkruan Reuters, transmeton “Koha Ditore”. “Të luash ndaj Atalantas është si të shkosh te dentisti. Është vërtet e vështirë dhe e dinim këtë. Ishte performancë e madhe në çdo aspekt”.
Ai ka përgëzuar Walkerin për guximin për të hyrë në portë.
“Ne nuk e kemi ditur më herët, por Xavi Mancisidor, trajneri ynë i portierëve, e sugjeroi atë për guximin dhe pasi është i shpejtë. Ne ishim me fat që lejuam vetëm një gjuajtje në portë, kur ai ishte në mes të shtyllave, por duhet uruar guximin dhe dëshirën e tij për të ndihmuar skuadrën në këtë pozitë”.
I pyetur pse ka pasur Atalanta aq shumë vështirësi, Guardiola ka thënë: “Dy skuadrat e tjera në grup janë shumë të forta. Shakhtar Donetsku është skuadër që luan në këtë garë çdo vit dhe ka shumë përvojë, dhe Dinamo Zagrebi është befasi, një skuadër shumë e fortë. Është garë shumë e fortë”.
Kapiteni i Atalantas, Alejandro Gomez, ka thënë se ndeshjet ndaj Manchester Cityt janë një përvojë e madhe.
“Futbolli italian është shumë më i ngadalshëm. Këto top-skuadra evropiane gjithmonë luajnë për fitore dhe bëjnë presion të vazhdueshëm. Askush nuk bën presion të tillë në Itali”, ka thënë Gomez.
Atalanta ka befasuar rivalët në Serie A me stil agresiv ofensiv, por Gomez thotë se në futbollin evropian kjo është normë.
“Atë që ne bëjmë në Itali e bëjnë të gjithë në Evropë. Ritmi është ndryshe, presioni është ndryshe. Ne kemi humbur posedim mjaft pasi ka shumë më tepër presion. Portieri i Cityt, Ederson, mund të dërgojë topin ku të dojë. Lojtarët e Cityt mendojnë shpejt dhe janë më të mirë fizikisht”, ka deklaruar Gomez.