Trajneri Pep Guardiola e pranon se gabimet e vazhdueshme të lojtarëve të Manchester Cityt nga pika e penalltisë do ta detyrojnë atë ta mendojë edhe një herë se kush duhet t’i gjuajë ato, përderisa deklaroi se portieri Ederson është opsioni më i mirë i klubit.
Gabriel Jesusit ia mbrojti penalltinë Dean Henderson gjatë pjesës së parë të fitores me rezultat 1:0 të Manchester Cityt kundër Sheffield Unitedit të martën, në Premierligë.
Ky ishte gabimi i tretë i brazilianit nga pesë tentimet e tij nga 11-metërshi në Premierligë, mirëpo ai s’është i vetmi që ka bërë gabim të tillë nga skuadra e Manchester Cityt. Edhe Raheem Sterlingu dhe Sergio Aguero e kanë humbur besimin e Guardiolës me tentimet e tyre.
Kur u pyet, pas ndeshjes, se a po shqetësohet lidhur me këto rekorde të skuadrës së tij nga pika e penalltisë, Guardiola u përgjigj: “Pa asnjë dyshim, duhet të mendoj për këtë. Gjithmonë kam besim te lojtarët që i gjuajnë ato penallti, mirëpo duhet të mendoj për mënyrën se si po i gjuajnë ato apo se kush po i gjuan”.
“Nuk vlen vetëm sot për Gabrielin, sepse edhe Sergio i ka humbur dy dhe Raheem i ka humbur një e gjysmë kundër Wolves (penalltia ishte gjuajtur dy herë shkaku i parregullsive, ishte mbrojtur dy herë, ndërsa Sterlingu kishte shënuar kur iu kthye topi nga pritja e portierit)”.
“Ne nuk jemi të sigurt. Në këtë nivel ku jemi ne, penalltitë janë të rëndësishme dhe mund ta bëjnë dallimin shumë herë. Unë duhet të vendos se kush do t’i gjuajë penalltitë e ardhshme”.
Kur u pyet se a e ka dikë në mendje, Guardiola tha: “Edersoni është më i miri. Më besoni, Eddie është më i mirë në gjuajtjen e penalltive nga lojtarët që i kemi. Ai nuk ka gjak në tru, është shumë i qetë kështu që edhe ai mund t’i gjuajë”