Gucati: Brenda 24 sekondave do jepja dorëheqje nëse do dilte ndonjë dokument nga zyra ime

Prishtinë | 06 Dhj 2021 | 14:17 | Nga Ekonomia Online

Gjatë deklarimit të tij para trupit gjykues në Hagë, Hysni Gucati ka thënë se po të rridhte ndonjë dokument nga zyra e tij, brenda 24 sekondave do thërriste mediat e do të jepte dorëheqje nga pozita e tij.

Ai tha se dëshira e tij më e madhe është që të zbulohet se si kanë rrjedhur ato dokumente nga Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS).

“Të jem i sinqertë, dëshira ime më e madhe personale është që të zbulohet ky rast nga prokurorët e nderuar se kush i qiti këto dokumentet nga zyra e tyre, mund të jetë njeriu i tyre që nuk dëshirojnë ta qesin, por dëshira ime më e madhe është që zbulojnë njeriun që më qiti kurth mu me atë dokumentacion, e llogariti kurth për mu, për UÇK, Nasimin, etj.”, ka thënë Gucati.

Sipas tij, pyetja duhet t’i bëhet prokurorëve që marrin pagë, raporton “Betimi për Drejtësi”.

“Po të isha unë, vetëm një letër po të dilte nga OVL-UÇK, brenda 24 sekondave do thirrja mediat dhe jepja dorëheqje nëse dokument del nga zyra ime. Kjo do të jetë në ndërgjegjen e tyre, por këtë do ta bëja për hir të moralit dhe etikes së punës. Kjo gjykatë është e ndishme, ka ardh këtu në Holandë për shkak të sigurisë dhe del se s’ka siguri fare”, ka thënë ai.

Ai tha se ka arsye të shumta se pse është kundër kësaj gjykate.

“Pse kjo gjykatë se heton rastin “Panda”, 6 qytetarë serb janë vra nga çetnikët, edhe ata janë qytetarë të Kosovës, dhe këtu mu më ka hup besimi dhe është arsyeja pse jam kundër kësaj gjykate”, ka thënë Gucati.

Ndryshe, në fillim të deklaratës së tij, Gucati ka folur për vendin ku ka lindur, familjen e tij, si dhe jetën e tij në tërësi.

Ai tha se në UÇK është kyçur në fund të vitit 1997, ku ka qenë ushtar dhe se ka luftuar në betejë në fshatin Morinë.

“Po, kam marr pjesë personalisht në ofensivën e 3 gushtit të vitit 1998. Kemi pas humbje, është vra dëshmori i kombit tash Zenel Mziu, ka qenë student i vitit të fundit të fakultetit, një qytetare e moshuar e Morinës, Hajrije Mziu, i është prerë koka me sëpatë, këtë e kam pa me sytë e mi. Në fshatin Morinë janë 39 të vrarë dhe 13 të zhdukur”, ka thënë ai.

Gucati tha se është plagosur me 2 qershor në ofensivën e fundit në vitin 1999 në malet e Berishës, te vendi i quajtur guri i vogël në Llapushnik.

“Unë jam i plagosur në këmbën e djathtë dhe jam i operuar 27 herë. Ditën e parë kam marr trajtim në spitalin tonë të improvizuar në bjeshkë dhe të dytin në spitalin ushtarak në Tiranë, ku më kanë dërguar forcat angleze, që kanë pru ndihmë në malet e Berishës, kanë pru ushqim për qytetarët dhe mu e dy të tjerë na kanë dërgu në Tiranë”, tha ai.

Tutje, rrëfeu edhe për operimet e tjera, si dhe ato në Gjermani, e shtoi se ka pasur të bëj ndërhyrje edhe vitin e kaluar po nuk e pati fatin pasi erdhi në paraburgim në Holandë.

Gucati ka treguar se për tre mandate ka qenë kryetar i OVL-UÇK-së në Skenderaj.

Ai bëri të ditur se organizata përbëhet nga kryesia, kuvendi i këshillit drejtues, e se selia e saj ndodhet në Prishtinë, ku ka degë në të gjitha komunat e Kosovës. Sipas tij, në vitin 2002 ishte anëtar i kryesisë në nivelin qendror në Prishtinë.

Ai i tregoi në vija të trasha detyrat e kryetarit të OVL-UÇK-së.

“Kryetari i OVL-UÇK ka të bëj për mbrojtjen e interesin e veteranëve të UÇK, ka të bëj me gjendjen ekonomike dhe sociale të veteranëve, takime me institucionet e Kosovës, nxjerrjen e ligjeve për veteranë, akademi për dëshmorët e kombit e tjera. Jemi të organizuar si OJQ dhe bëjmë kërkesa pranë zyrës së kryeministrit, presidentit apo ministrit të financave t’i ndihmojmë veteranët, sidomos për shërim jashtë vendi e për ata që janë në gjendje të rëndë sociale e ekonomike”, tha Gucati.

Ai tha se kanë takime edhe me KFOR-in, e ambasadat amerikane e angleze, raporton “Betimi për Drejtësi”.

“Kemi takime me të gjitha shtetet që janë në Kosovë, që mos tu mes borxh”, ka thënë ai.

Gjithashtu, tha se ka qenë dy vite anëtar i asamblesë komunale të qytetit të tij, si dhe konfirmoi se ka punuar si sekretar në një shkollë lokale fillore në Skenderaj.

“Punoj prej qershorit 2007 deri sa isha kryetar se e pata ngri pozitën sepse është e drejtë ligjore të ngrihet pozita edhe sot kam kontratë me atë shkollë prapë, po për momentin është e ngrirë pozita”, ka thënë ai.

Lidhur me datën 7 shtator 2020, ai tha se rreth orës 8:30 ka pirë kafe dhe pak para orës 9:00 ka shkuar në zyrën e tij, si dhe konfirmoi se zyrat janë në një ndërtesë me pesë kate. Ndërkaq, tha se zyrat e OVL-së janë në katin e katërt dhe të pestë, ku në të pestin janë sallat e takimeve.

“Në ndërtesë është shoqata e invalidëve të luftës, shoqata e familjes së dëshmorëve, sa e di është banka “ProCredit” dhe disa organizata tjerë joqeveritare që si njoh se s’kam kontakt, edhe shoqata e veteranëve të luftës së dytë botërore”, ka thënë ai.

Kafiteria ku ka pirë kafe në mëngjes deklaroi se përafërsisht mund të jetë 22 metra larg nga vendi ku punon ai. Ai bëri të ditur se vendi ku pi kafe është jashtë objektit të tyre.

Sipas tij, atë ditë, Nasim Haradinaj kishte shkuar pak para orës 9:00 në zyrën e tij dhe aty kanë pirë kafenë bashkë në zyrë, ku shtoi se deri në ora 9:30 asgjë s’ka vënë re të pazakontë.

“Ka ndodh për herë të parë dhe na ka befasu të gjithëve që nuk ka ndodh kurrë për 20 vite e sa, ku ka ardh një paketë e dyshimtë, që është lënë në zyrën e sekretares te recepsioni mbi tavolinë”, tha ai duke rrëfyer çka ka ndodhur në 9:30 atë ditë.

Ai tha se sekretarja në atë moment i kishte rënë derës me forcë pasi ishte frikësuar shumë.

“Dhe me një bërtitmë që ende e ni në veshin tim, ka mëndu që ka bombë në paketë, ka thënë se ka ardh një person i maskum, ka lënë një paketë në tavolinë time dhe ka ik. Pas një kohë kemi mësuar që ka thënë se do të sjell prapë paketa dhe se kjo paketë është për ata që flasin në televizion, kështu ka thënë”, ka thënë Gucati.

Kurse, tha se personin që ka sjell këto paketa e ka parë vetëm në kamera, e se “live” nuk e ka parë kurrë.

“Të jem i sinqertë, ishte rasti i parë që ka ndodh ishte befasi, jemi afru shumë kadal, nashta për juve është si në humor por do të them se është e vërtetë, me një shtagë e kemi shpalu paketën dhe e kemi pa që ka dokumentacione dhe s’kemi guxu t’i afrohemi paketës se mos ka ndonjë bombë”, ka thënë ai.

Ai tha se brenda paketës ka pasur materiale e se ka qenë një shkrim që ka gabuar që nuk e ka ruajtur, ku shkruante se do t’i sjellin edhe 7 mijë dosje.

“E kam marr fletën e bardhë e kam gjuajt në bërllok, shumë kam gabu që se kam rujt me pa trupi gjykues, po e kam hudh në shportë, shkruante me shkrim do t’i sjellim edhe 7 mijë dosje, asgjë tjetër nuk shkruante”, ka thënë ai, e shtoi se kutinë e kanë marrë në zyrën e tij.

Në zyrën e tij kur erdhi paketa ai tha se të pranishëm ishin Nasim Haradinaj, Faton Klinaku dhe punëtorë të tjerë teknik që kishin shkuar të dera për të parë se çfarë po ndodhte.

Avokati i tij, Jonathan Elystan Reese, më pas e ka pyetur nëse i ka parë dokumentet, për cka Gucati u përgjigj: “Shumë pak, arsyeja pse pamë shumë pak se nuk na ka hi shumë punë me na interesu, kemi pa logon e Gjykatës Speciale, kemi pa disa dokumente në gjuhën serbe dhe angleze, po shumë pak se s’kishim kohë”.

Kurse, tha se gjuhën serbe nuk e kupton mirë, por e kupton, e se gjuhën angleze shumë pak, për të mos thënë fare hiç.

Tutje, tha se kanë diskutuar me kryesinë e ngushtë se çka do të bëjnë me këto dokumentacione. Tha se vendosën t’i ftojnë mediat e Kosovës që të bëjnë këtë informim, e se arsyeja pse ka qenë shumë e thjeshtë.

“Arsyeja ishte shumë e thjeshtë, për shkak tu e mëndu që kanë ardh nga OVL kemi mëndu se mund të jenë edhe në dorën e ndonjë matrapazi që mund t’i shpërndaj në lokale, qytete dhe ne mos të mbajmë këtë barrë që të thonë OVL i ka pas në zyrë dhe shpërndarë në qytete e në vende publike dhe kjo ka qenë arsyeja”, ka thënë ai.

Ai tha se e ka autorizuar Faton Klinakun, që është sekretar i organizatës, që në faqen zyrtare të organizatës të bëj njoftimin që në këtë kohë dhe në këtë datë do të mbahet një konferencë e jashtëzakonshme.

“Me numër të saktë nuk mund të them se nuk është përgjegjësi e imja, e merr zakonisht sekretari kur i fton, e di që salla ka qenë e mbushur me media, por numër të saktë nuk mund të jap, por një numër bukur i mirë ka qenë”, tha ai, kur u pyet sa pjesëtarë të mediave kanë qenë të pranishëm.

Tutje, Hysni Gucati deklaroi se në kohën kur u mbajt konferenca për media, të gjitha dokumentet kanë qenë në zyrën e tij dhe nga aty i kanë dërguar në sallë të konferencës.

Dokumentet ai deklaroi se ishin vendosur mbi tavolinë dhe se asgjë nuk ka qenë e fshehur apo mbajtur sekrete, e se çdo gjë ka qenë transparente dhe e hapur. Kurse, shtoi se nuk kanë bërë kopje të këtyre dokumenteve.

“Asnjë kopje, asnjë rresht, asnjë germë nuk ka qenë e kopjuar në OVL-UÇK. Nuk ka qenë në interesin tonë të shpërndahen ato kopje”, ka thënë Gucati.

Ai tha se i ka bërë thirrje Gjykatës Speciale që të kapin personin që po i sjell. Kurse, avokati Reese i tha se në konferencën për media ka përmendur se kanë qenë katër mijë faqe.

“Kemi thënë përafërsisht sepse nuk i kemi numëru, në bazë të trashësisë kemi mendu që secila rreth 1 mijë kopje i ka. Kam thënë edhe në media rreth afërsisht 4 mijë, kanë mund të jenë më pak ose më shumë, por logjika ka thënë që rreth 4 mijë”, tha Gucati.

Ai tha se nuk kishin shkruar tekst me shkrim rreth asaj çka do të flisnin në konferencë.

“Unë me shëndet nuk isha shumë mirë atë ditë, e dinë edhe shokët. E kam marr fjalën rreth 5 minuta apo 7, fjalën hapëse e kam bërë unë dhe njoftimin pse e kemi thirr konferencën e jashtëzakonshme”, ka thënë ai.

Kurse, tha se më herët i kishte thënë Nasim Haradinajt se do të merrte fjalën në konferencë dhe se pas tij i ka dhënë fjalën Haradinajt që të flas. Ndërkaq, tha se ka dëgjuar se është transmetuar në disa mediume konferenca.

Ai është pyetur nëse ka shpërndarë apo zbuluar informacion konfindcial jo publik, për çka u përgjigj: “Nuk ndodh që i kam thënë dikujt merre këtë dokument ose le këtë dokument. Njoftimi ka qenë që ka ardh një paketë në 9:30 ose 9:40, kam njoftu që ka ardh paketa që ka dosje të gjyaktës speciale, rrjedhën e tyre që nuk e dimë, ky ka qenë njoftimi jem dhe kjo është krejt”.

I pyetur nëse ka kërcënuar dikë gjatë kësaj konference, Gucati tha: “Jo gjatë konferencës, mirëpo unë i kam 54 vite në jetë skam kërcënua kërkun, asni shqiptari, asni romi, asni boshnjaku, asni turku aty, pavarësisht forcave, policisë paramilitare çetnik serb me ta kam pas kërcënime për vendim tim”.

Njëjtë deklaroi edhe për Nasim Haradinajn, për të cilin tha se nuk beson që ka kërcënuar dikë duke i ditur vuajtjet e tij dhe familjes së tij ka qenë e ndjekur politikisht për 37 vite dhe se nuk bie në atë nivel i njëjti.

“Nuk besoj që Nasimi të ketë kërcënuar dikë ndonjë gazetar a diçka merre këtë, kështu besoj dhe nuk e kam dëgju”, ka thënë ai.

Tutje, tha se asnjë qytetar i Kosovës nuk është kundër drejtësisë, por se janë kundër padrejtësisë dhe kjo është arsyeja pse i kanë bërë publike këto, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Kur është pyetur se a mendon se ndonjë prej gazetarëve do të kërcënonin dike si rezultat i kësaj konference, ai tha se nuk e beson që ndonjë gazetar profesionit apo amator të bënte këtë.

“Nuk besoj se ndonjë gazetar profesionist apo amator, apo unë si Hysni Gucat e Nasim Haradinaj që të jemi të marrë të zbulojmë emra dëshmitar”, tha Gucati

Sipas tij, edhe gazetarëve u kanë thënë të mos përmendin dëshmitarët.

“Gjithmonë kam kërkua që dëshmitë dhe dëshmitarët të mbrohen dhe ruhen që të mos jenë barrë e ndonjë keqpërdorimi të dikujt. Edhe mediat, edhe ne kemi qenë shumë korrekt në këtë drejtim”, ka thënë Gucati.

Ai ka mohuar se e ka problem që ndonjë person të thotë të vërtetën para Gjykatës Speciale, por konfirmoi se e ka problem nëse një person do të gënjente para gjykatës.

“Çdo njëri që vjen e gënjen këtu nuk besoj se ka dikush në univers që nuk e kundërshton këtë për të gënjyer për ndonjë përfitim material, kjo është e vërtetë jam kundër atij njeriu, qoftë baba im apo nana ime që më ka majt në bark për 9 muj unë do ta kundërshtoj kur e thotë të pavërtetën”, tha Gucati.

Sipas Gucatit, nga prokuroria e gjykata është kërkuar bashkëpunimi me 17 apo 18 dëshmitarë që janë në listë të “Interpol”, e të cilët i kanë prirë masakrave në Kosovë.

“Nëse kjo gjykatë është formu nga parlamenti i vendit tim, deputet e mi, pse mos t’i marr t’i intervistojë në Kosovë, por në Serbi? Pse të mos merren në pyetje në Kosovë ,por të shkojnë në një vend të huaj, që Serbia ka bërë masakra, na ka vra, e na ka dhunu mbi 20 mijë gra. Pse mos t’i marrë në Kosovë nëse është e formuar për të mbrojt interesin e qytetarëve të Kosovës. Kjo ka qenë kundërshtimi im”, tha Gucati, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Trupi gjykues nuk miraton kërkesën e mbrojtjes së Haradinajt, vazhdohet me gjykim

(Përditësuar, ora 12:04) – Trupi gjykues nuk ka pranuar kërkesën e mbrojtjes së Nasim Haradinajt që të shtyhen seancat gjyqësore.

Pas pauzës dhe konsultimit me klientin e tij, avokati Toby Cadman, kërkoi shtyrjen e gjykimit deri të mërkurën.

“Haradinaj ka shprehur shqetësimin si unë, ai beson se do të vazhdoj të qëndroj në karantinë edhe për 2 3 ditët në vijim. Ja shpjegova gjendjen time dhe se një pjesë e ekipit tonë nuk do të ketë mundësi të marr pjesë në ditët në vijim. Haradinaj si gjithë ne kërkon të vijohet, dhe shpresoj që kërkesa që po bëjmë nuk do të interpretohet si vonesë. Haradinaj shprehi dëshirën që procedurat të vijojnë sa më shpejtë të jetë i mundshëm. I vetmi aspekt që duhet të keni gjykatës është që ti sigurohet një proces i rregullt gjyqësor. Ne fakti që nuk jemi të pranishëm e vë në diskutim këtë gjë”, ka thënë.

Ai deklaroi se nuk po kërkojnë të vonojnë këtë çështje më tej, raporton “Betimi për Drejtësi”.

“Bashkëmbrojtësi ka qenë në kontakt me gjykatën, mund të ketë mundësi të sigurohet një llaptop që të mund të ndjek seanca private, por kjo është ndër shqetësimet kryesore për mua. Duam që gjërat të vijojnë dhe të marrim udhëzime. Në këto kushte do të kërkoja të shtyhet deri të mërkurën që të përmirësohet situata ime dhe shpresojmë që Haradinaj të dal nga karantina”, ka thënë ai.

Në anën tjetër, prokurorja Valeria Bolicci tha se prokuroria vëren se në çështjen Haradinaj kemi dy bashkëmbrojtës që janë të disponueshëm, njëri që e ndjek online dhe njëri që është i pranishëm.

“Bashkëmbrojtësi në gjykatë mund të ndjek seancat private, andaj nuk ka justifikim për shtyrjen e seancave të planifikuara”, ka thënë ajo.

Kurse, avokati i Gucatit, Jonathan Elystan Reese, tha se i vjen keq për pozicionin e mbrojtjes së Haradinajt.

“Ne menxi po presim të vijojmë dhe nëse shqetësimi kryesor është paaftësia e Cadman dhe personave tjerë që po ndjekin online për të ndjekur seancat private, ne kemi përgjigje të thjeshtë që e gjithë seanca të ketë mundësi të zhvillohet në seancë publike. Ne parashtrojmë që e gjithë dëshmia e Gucatit të dëgjohet në publike”, ka thënë ai.

Më pas, kryetari i trupit gjykues, Charles L Smith II, deklaroi se nuk pranojnë kërkesën e mbrojtjes së Haradinajt.

“Së pari është e dukshme që mund të komunikoni me klientin tuaj përmes telefonatave ose lidhjeve në zoom, mund të merrni pjesë në këto seanca në distancë, ky institucion përfshirë trupin gjykues kanë detyrën të sigurojnë sigurinë dhe efikasitetin e procedurës zyrtare, ndër to është mbrojtja e informacionit konfidencial, gjatë seancave private zyra administrimit duhet të sigurohet që informacioni konfidencial të mos ekspozohet në asnjë mënyrë”, ka thënë ai.

Tutje, shtoi se këtë mund ta bëjnë në lidhje me seancën e gjyqit sa i takon videolidhjeve, por nuk mund ta bëjnë përmes lidhjeve me “Zoom”.

“Ne prezumojmë se e kuptoni situatën që në këto rrethana asnjë staf i administrimit nuk mund të ekspozohet të vij në vendin tuaj për të bërë organizimin me videolinkun. Derisa zyra e administrimit nuk mund të sigurohet që vendi nuk është i ekspozuar nuk mund të ju lejojmë të merrni pjesë në seanca private, keni qasje në transkriptin në kohë reale dhe mund të shihni cpo ndodh, keni edhe bashkëmbrojtësin në sallë që mund të përfaqësoj klientin. Keni mundësinë për të shkëmbyer email gjatë seancave për të dhënë seanca private”, ka thënë ai.

Gjykimi po vazhdon me dëgjimin e Gucatit, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Shtyhet për një orë gjykimi ndaj Gucatit dhe Haradinajt

Është shtyrë për një orë gjykimi ndaj Hysni Gucatit dhe Nasim Haradinaj, të cilët po akuzohen për vepra penale që lidhen me pengimin e administrimit të drejtësisë.

Seanca e së hënës u shty për një orë pas kërkesës së avokatit të Nasim Haradinajt, Toby Cadman, që të kontaktoj me klientin e tij. Ai tha se gjysma e ekipit të mbrojtjes së këtij të fundit janë të karantinuar.

Avokati fillimisht deklaroi se gjykimin po e ndjek në distancë pasi ka testuar pozitiv nga COVID-19 dhe ka filluar të ketë simptoma më të rënda që nga seanca e së premtes, ku ndër të tjera tha se ka mungesë energjie dhe aftësie për tu përqendruar.

“Në bazë të njoftimeve që kemi marr në fundjavë, dua të kërkoj të shtyhen procedurat aktuale në bazë të përkohshme derisa të kem mundësi të marr udhëzimet nga Haradinaj. Siç e dini edhe Haradinaj është në karantinë, nuk kam pas mundësi të flas gjatë fundjavës, kam kërkuar të paktën të flas në telfon për të njoftuar për gjendjen. Vajza e zotit Beckley është pozitiv dhe s’lejohet për 10 ditë të udhëtoj, edhe bashkëshortja e tij po shfaq simptoma dhe mund të ndodh që edhe ai të shfaq simptoma”, ka thënë ai.

Tutje, tha se kjo krijon vështirësi për ta, pasi kanë edhe anëtarë të tjerë të ekipit që po ndjekin procedurat në distancë nga hoteli.

“Pavarësisht që nuk ka shfaqur simptoma tani, për shkak të inkubimit mendoj se është në interes të të gjithëve të mos sjellim rrezik në gjykatë, duhet të presin deri në ditën e 4 të bëjnë testin për të parë nëse janë pozitiv. Në këtë fazë unë po kërkoj thjesht një shtyrje të përkohshme në mënyrë që të kontaktoj me Haradinajn që të shoh nëse dëshiron të vijoj apo është pro shtyrjes”, ka thënë ai.

Ai deklaroi se kjo është situatë e paparashikuar dhe rrethanë përjashtimore, raporton “Betimi për Drejtësi”.

“Zoti Haradinaj nuk është i pranishëm, ka qenë e pamundur të kontaktoj me Haradinaj dhe ndërkohë edhe nëse Haradinaj do të jetë në gjykatë nesër, përkthyesi dhe hetuesi nuk është në gjendje të jetë për shkak të kohës që duhet të pres për testin PCR. Për mua nuk ka qenë e mundur të kontaktoj me Haradinaj dhe kjo është thelbësore”, ka thënë ai.

Tutje, tha se ekipi i tyre është i kufizuar, ku njëri nga anëtarët e ekipit është bërë pjesë e tyre në tetor 2021 dhe nuk është e duhur që ai të ketë barrën.

“Nuk ka garanci që anëtarët e tjerë të ekipit nuk do të kenë simptoma të tjera dhe nuk mund të garantojmë që asnjëri nuk do të ketë simptoma të mëtejshme dhe kjo është arsyeja se pse po kërkojmë shtyrje dhe pozicioni pranë gjykatës. Ndërkohë që un jam avokati jam përgjegjës sa i përket procesit gjyqësor dhe drejtuesi i mbrojtjes sa i takon Haradinaj, por duke filluar nga sot është e pamundur të mbroj Haradinaj”, tha Cadman.

Ai bëri të ditur se do të kërkoj shtyrjen e gjykimit për të gjithë javën.

“Do të kërkoj një shtyrje për gjithë këtë javë. Ndërkohë që po e ndjek seancën në distancë, nuk do të kem mundësi të ndjek seancat private dhe ky është pozicioni i mbrojtjes së Haradinaj. Deri në mëngjes nuk kam pas mundësi të kontaktoj me Haradinajn”, ka thënë ai.

Tutje, avokati i Gucatit, Jonathan Elystan Reese tha se ata duan të vijojnë sa më shpejtë që është e mundur, por nga ana tjetër e kuptojnë pozicionin e avokatit Cadman.

“Ne shpresojmë që kontaktimi të realizohet sa më shpejtë të ishte mundur dhe të kemi mundësi të fillojmë brenda ore”, ka thënë ai, duke u referuar komunikimit me klientë.

Hysni Gucati së bashku me Nasim Haradinajn, po akuzohen për vepra penale kundër administrimit të drejtësisë, konkretisht për pengim të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare, për frikësim të dëshmitarëve, për hakmarrje dhe për shkelje të fshehtësisë së procedurës.

“Akuzat e paraqitura në aktakuzën e konfirmuar mbështeten në dyshimin e bazuar mirë se së paku midis 7 dhe 25 shtatorit 2020, z. Gucati dhe z. Haradinaj zbuluan pa autorizim informacion të mbrojtur prej Ligjit të Dhomave të Specializuara, ndër të cilat të dhëna identifikuese të disa dëshmitarëve (të mundshëm), në tre konferenca shtypi dhe aktivitete të tjera të transmetuara, si edhe përmes shpërndarjes së mëtejshme ku përfshihen deklaratat në rrjetet sociale”, thuhej në njoftimin e Dhomave të Specializuara.

Gucati dhe Haradinaj ngarkohen se kanë bërë komente nënçmuese kundër dëshmitarëve të mundshëm dhe në mënyrë të përsëritur shprehen synimin e tyre për të dëmtuar punën e Dhomave të Specializuara.

“Me këto veprime, z. Gucati dhe z. Haradinaj shkelën fshehtësinë e procedurës dhe frikësuan dëshmitarë (të mundshëm) të Zyrës së Prokurorit të Specializuar dhe si pasojë penguan punën dhe hetimet e ZPS-së”, thuhej në njoftimin e Dhomave të Specializuara të Kosovës. /BetimipërDrejtësi/

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme