Ish-kryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hysni Gucati, ka dhënë dëshminë e tij sot në Gjykatën Speciale të Kosovës në Hagë, shkruan Gazeta Sinjali.
Gjatë deklarimit të tij para trupit gjykues në Hagë, Gucati ka thënë se po të rridhte ndonjë dokument nga zyra e tij, brenda 24 sekondave do thërriste mediat, e do të jepte dorëheqje nga pozita e tij.
Ai tha se dëshira e tij më e madhe është që të zbulohet se si kanë rrjedhur ato dokumente nga Zyra e Prokurorit të Specializuar dhe kush e bëri këtë “kurth” për të, Nasim Haradinajn dhe UÇK-në.
“Të jem i sinqertë, dëshira ime më e madhe personale është që të zbulohet ky rast nga prokurorët e nderuar se kush i qiti këto dokumentet nga zyra e tyre, mund të jetë njeriu i tyre që nuk dëshirojnë ta qesin, por dëshira ime më e madhe është që zbulojnë njeriun që më qiti kurth mu me atë dokumentacion, e llogariti kurth për mu, për UÇK, Nasimin, etj”, ka thënë Gucati.
Gucati ka vë në dyshim sigurinë e kësaj gjykate, duke e akuzuar për mungesë të plotë të sigurisë.
“Po të isha unë, vetëm një letër po të dilte nga OVL-UÇK, brenda 24 sekondave do thirrja mediat dhe jepja dorëheqje nëse dokument del nga zyra ime. Kjo do të jetë në ndërgjegjen e tyre, por këtë do ta bëja për hir të moralit dhe etikes së punës. Kjo gjykatë është e ndjeshme, ka ardhur këtu në Holandë për shkak të sigurisë dhe del se s’ka siguri fare”, ka thënë ai.
Ish-kreu i Organizatës së Veteranëve të UÇK-së tha se besimin në këtë gjykatë e ka humbur, pasi që e njëjta nuk është marrë me rastin “Panda”.
“Pse kjo gjykatë se heton rastin ‘Panda’, 6 qytetarë serbë janë vra nga çetnikët edhe ata janë qytetarë të Kosovës dhe këtu mu më ka hup besimi dhe është arsyeja pse jam kundër kësaj gjykate”, ka thënë Gucati.