Sekretari i përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres, i bëri thirrje presidentit amerikan, Donald Trump, që të mos tërhiqet nga marrëveshja bërthamore me Iranin.
Duke folur për BBC-në, Guterres tha se ka rrezik real për luftë nëse marrëveshja e vitit 2015 nuk ruhet.
Trump është kritik i fuqishëm i marrëveshjes, me të cilën Irani është pajtuar të frenojë aktivitetin e tij bërthamor, në këmbim të lehtësimit të sanksioneve ndërkombëtare.
Ai ka kohë deri më 12 maj për të vendosur nëse do të mbetet ose jo në këtë marrëveshje, nënshkruese të së cilës janë: Irani, SHBA-ja, Rusia, Kina, Britania, Franca dhe Gjermania.
Guterres tha se marrëveshja me Iranin ka qenë “fitore e rëndësishme diplomatike” dhe se ajo duhet të vazhdojë.
“Nuk duhet ta flakim përderisa nuk kemi alternativë të mirë. Përballemi me kohë të rrezikshme”, tha Guterres.