Guvernatori Hamza priti drejtoreshën e Bankës Botërore për Ballkan

Prizren | 07 Sht 2017 | 17:37 | Nga

Guvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës, Bedri Hamza, ka pritur sot në Qendrën e Vazhdimësisë së Punës së BQK-së në Prizren, drejtoreshën e Bankës Botërore për Ballkanin Perëndimor, Linda van Gelder, të shoqëruar nga Marko Mantovanelli, drejtor i Zyrës së Bankës Botërore në Kosovë.

Guvernatori Hamza e ka përgëzuar për postin e ri znj. Van Gelder dhe e ka njoftuar atë për funksionalizimin e Qendrës për Vazhdimësi të Punës, duke e falënderuar atë për mbështetjen e parezervë që ka dhënë Banka Botërore në përkrahje të ndërtimit të kësaj qendre të rëndësisë strategjike për Bankën Qendrore, sistemin financiar në përgjithësi dhe institucionet tjera të Republikës së Kosovës.

Sipas një njoftimi shtypi nga BQK-ja, Hamza e njoftoi Van Gelderin për zhvillimet aktuale në ekonominë e Kosovës dhe rolin e sistemit financiar. “Hamza ka marrë mbështetje nga znj, Van Gelder se Banka Botërore do të vazhdojë mbështetjen e saj për të gjitha fushat të cilat janë me interes për zhvillimin e BQK-së, qoftë në shërbim të ngritjes së kapaciteteve të saj apo qoftë me projekte që kanë për qëllim zhvillimin e sektorit financiar në përgjithësi”.

Të dyja delegacionet thuhet se çmuan lart bashkëpunimin e ndërsjellë dhe u zotuan se kjo frymë e bashkëpunimit do të vazhdojë edhe më tej.

Delegacioni i Bankës Botërore ka vlerësuar BQK-në për të gjitha të arriturat në projektet që cilat janë përkrahur nga asistenca teknike e Bankës Botërore.

Hamza dhe Val Gelder u zotuan se do të thellojnë bashkëpunimin për ngritjen e kapaciteteve dhe zhvillimin e projekteve të rëndësisë së veçantë në sferën e sistemit financiar që ndikojnë në rritjen e ndërmjetësimit financiar dhe qasjen në financim në funksion të zhvillimit të sektorit privat, theksohet në njoftimin e BQK-së.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme