Guvernatori i Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës, Fehmi Mehmeti ka takuar sot zyrtarët e misionit të Bankës të Bankës Botërore, të cilët po qëndrojnë për vizitë në Kosovë.
Në këtë takim u diskutuan detajet e angazhimit për komponentin zhvillimor të FSAP, sa i përket sistemit të pagesave, identifikimit të hendekut të financimit dhe çështje tjera zhvillimore për Bankën Qendrore të Republikës së Kosovës.
Guvernatori Mehmeti ka informuar zyrtarët e këtij institucioni lidhur me pozicionin e sistemit financiar në vend dhe ka falënderuar përfaqësuesit e Bankës Botërore për përkrahjen e vazhdueshme, që Banka Botërore ka dhënë dhe në vazhdimësi po i japin për Bankën Qendrore të Republikës së Kosovës.
Me këtë rast, Guvernatori Mehmeti ka deklaruar se sistemi financiar në Republikën e Kosovës ka pasur zhvillime pozitive në të gjithë indikatorët e tij, me një rritje vjetore të kreditimit prej rreth 11%, rritje vjetore të depozitave prej rreth 10%, normat e interesit në kredi kanë zbritur në 6.5%, ndërsa norma e kredive joperformuese ka shënuar rënie në 2.6%.
Guvernatori Mehmeti i njoftoi përfaqësuesit e BB-së lidhur me zhvillimet pozitive në sektorët tjerë, si sektorin e sigurimeve, pensioneve dhe atë të institucioneve mikrofinanciare dhe financiare jobankare.
Përfaqësuesit e BB-së të kryesuar nga shefi i misionit Nadeem Karmali, falënderuan Guvernatorin Mehmeti për bashkëpunimin e vazhdueshëm dhe e përgëzuan BQK-në për iniciativat zhvillimore në funksion të zhvillimit të BQK-së, si dhe diskutuan për mënyrat e rritjes së mëtejmë të bashkëpunimit ndërmjet BB-së dhe BQK-së.