Dy shtetasit turq, Harun Çelik dhe Selami Simsek, të arrestuar nga Policia Shqiptare në aeroportin “Nënë Tereza” të Rinasit, në korrik të vitit 2019, janë pajisur me viza false në Prishtinë, kundrejt pagesës prej 5 mijë eurosh. Kështu ka deklaruar të hënën para trupit gjykues në Gjykatën e Shkallës së Parë, në Tiranë, i akuzuari Selami Simsek, shkruan sot Koha Ditore.
Simsek, i arrestuar në të njëjtën ditë me bashkëkombësin e tij tashmë të ekstraduar në vendin e lindjes, Harun Çelik, ka rrëfyer për hetuesit itinerarin që ka ndjekur për të mbërritur në Shqipëri. Ka deklaruar se një kushëri i tij ka paguar paratë nëpërmjet një llogarie bankare, me pas ka udhëtuar drejt Kosovës.
“Për t’u larguar më ndihmoi një shtetas turk, ndërsa me vizë kanadeze u pajisëm në Prishtinë”, është shprehur Simsek, i njohur si mbështetës i Fetullah Gulenit.
Ai ka sqaruar para trupit gjykues se si është larguar nga vendi i tij Turqia, ku pretendon se i rrezikohet jeta. Simsek është shprehur se për t’u larguar është ndihmuar nga një shtetas turk, të cilin e identifikon me emrin Kursak.
“Kam folur me të turqisht, më kërkoi para për të më pajisur me një vizë, ndërsa pagesën e kam kryer përmes bankës, llogarinë e së cilës nuk e mbaj mend. Paratë u derdhën nga një kushëri i imi në bankë, i cili nuk e dinte se përse po i depozitonte ato para. Personit me emrin Kursak ia dërgova një foto në whatsapp dhe më pas ai më kërkoi të udhëtoja në Kosovë, atje do të siguroja edhe vizën. Kur mbërrita në Kosovë, u ndalova në Prishtinë, qëndrova në një banesë për tri ditë pranë stacionit të autobusëve së bashku me Harun Çelik. Në këtë banesë erdhi një shtetas rreth 30 vjeç e ma mori pasaportën, ku vendosi vizën kanadeze. Kam udhëtuar drejt Tiranës nga Dogana e Morinit më 8 korrik të vitit të shkuar, dhe kam qëndruar disa ditë në Shqipëri. Më pas rezervova biletat Rinas – Vjenë ( transit ) dhe Toronto”, është shprehur Simsek, të hënën në gjykatën e Tiranës.