Për kohë të gjatë ka pasur shpresë që Florent Hadërgjonaj mund të vendosë të përfaqësojë Kosovën në futbollin ndërkombëtar. Hadërgjonaj në fund vendosi për Zvicrën, ndërsa ai ka bërë të ditur që asnjëherë në fakt nuk ka pasur dilema se cilin vend të zgjedhë.
Hadërgjonaj 24-vjeçar luan si mbrojtës i krahut, ndërsa aktivizohet për Huddersfield Townin, skuadrën që renditet e fundit në Premier Leaguen e Anglisë. Ai ka lindur në Zvicër, ndërsa ka prejardhje nga Kosova, shkruan sot “Koha Ditore”.
“Kam shumë pjesëtarë të familjes në Kosovë. Ata më kanë thirrur dhe më kanë shkruar mesazhe. Të gjithë e kanë dhënë maksimumin për të më marrë. Por ishte e qartë. Unë jam rritur në Zvicër dhe u bëra lojtar atje. Nuk ishte vendim i lehtë, por në fund ishte e qartë”, ka thënë Hadërgjonaj, ka shkruar të dielën “examinerlive.co.uk”.
“Kam lindur në Zvicër dhe Zvicra dha çdo gjë për familjen time. Më ka ndihmuar të rritem në rrethana të mira. Për mua ishte e qartë se do të luaja për Zvicrën. Jam rritur në këtë vend dhe kisha mundësitë më të mira që të bëhem futbollist profesionist”.
Hadërgjonaj në të kaluarën ka luajtur për U-20 e U-21 të Zvicrës. Për përfaqësuesen A të Zvicrës e ka vetëm një ndeshje, miqësoren ndaj Bjellorusisë në fillim të qershorit të vitit të kaluar. Ai nuk është ftuar prej atëherë deri në ndeshjet e muajit të kaluar që Zvicra i luajti në kuadër të Ligës së Kombeve. Qëndroi në stol ndaj Belgjikës e Islandës.