Mbrojtësi i krahut të djathtë, Florent Hadërgjonaj, do të rikthehet te Huddersfieldi, ekip me të cilin ka kontratë pas përfundimit të këtij edicioni me Kasimpashën në Turqi, ku është huazuar në janar të këtij viti. Mediumet angleze kanë raportuar të premten se drejtuesit e Huddersfieldit po planifikojnë t’i rikthejnë të gjithë futbollistët e huazuar nëpër ekipet tjera, përfshirë edhe Hadërgjonajn, për të mos shpenzuar para në përforcime pas situatës me pandeminë e koronavirusit, që ka ndikuar në financat e shumë skuadrave nëpër Evropë. Hadërgjonaj, 25-vjeçar, ka kontratë me ekipin anglez që garon në Championshipin (kategorinë e dytë) e Anglisë dhe po lufton për ta siguruar mbetjen në këtë rang të garave edhe për edicionin e ri. Reprezentuesi i Kosovës, në fund të muajit janar, u huazua tek ekipi elitar i Turqisë, Kasimpasha, për shkak se nuk bënte pjesë në planet e shtabit teknik të Huddersfieldit. Hadërgjonaj pati 22 paraqitje dhe dy asistime te Huddersfieldi në pjesën e parë të këtij edicioni në të gjitha garat dhe ishte titullar, por pastaj filloi të kritikohej vazhdimisht për paraqitjet e tij. Kështu që klubi vendosi ta huazojë në një kampionat tjetër.
“Trajneri i Huddersfieldit, Danny Cowley, ka marrë një qëndrim pragmatik sa u përket transferimeve për edicionin e ri. Lojtarët që janë huazuar për çfarëdo arsye do të rikthehen në ekip kur të përfundojë edicioni”, ka shkruar sajti anglez “Examiner”, duke iu referuar afatit kalimtar që hapet më 27 korrik dhe mbaron më 5 tetor. “I vetmi që do të largohet gjatë afatit kalimtar të verës prej lojtarëve të huazuar është Reece Brown, derisa të tjerët pritet të mbesin në ekip”.
Te Kasimpasha, Hadërgjonaj ka regjistruar 11 paraqitje kampionale dhe deri në fund të këtij edicioni në Turqi kanë mbetur edhe dy xhiro të pazhvilluara. Kasimpasha zë vendin e 11-të në klasifikim, me 39 pikë të grumbulluara. Hadërgjonaj, që luan në krahun e djathtë, te Huddersfieldi qe transferuar në verën e vitit 2017, derisa ishte pjesë e Premier Leagues. Ai ekipit anglez iu bashkua nga skuadra gjermane Ingolstadt, kurse karrierë ka bërë edhe në kampionatin e Zvicrës, me fanellën e ekipit Young Boys. Hadërgjonaj, prej qershorit të vitit të shkuar, është reprezentues i rregullt te Përfaqësuesja e Kosovës. Deri më tash, Hadërgjonaj ka pesë paraqitje me fanellën e “dardanëve”, kurse para se t’i bashkohet Kosovës ka një paraqitje për ekipin A të Zvicrës në ndeshje jozyrtare si dhe ka luajtur për gjeneratat e reja “helvetike” – U21 e U20.