Florent Hadërgjonaj u ka dhënë fund dilemave. Mbrojtësi i djathtë ka bërë të ditur se ka vendosur të luajë për përfaqësuesen e Zvicrës në futboll, transmeton Koha Ditore.
23-vjeçari aktualisht po luan për Huddersfield Townin në Premier Leaguen e Anglisë, ndërsa kishte shpresë te tifozët e Kosovës se ai do të vendoste të luante për Kosovën, vendin e tij të origjinës. Që të kishte shpresë, kishte mundësuar vet Hadërgjonaj që nuk kishte qartësuar plotësisht nëse do të luante për Zvicrën apo për Kosovën.
Ai ka luajtur për U-20 dhe U-21 të Zvicrës, ndërsa është paraqitur edhe për përfaqësuesen A të Zvicrës në miqësore ndaj Bjellorusisë në qershor të vitit të kaluar. Por ajo paraqitje nuk ia mohonte kalimin te Kosova, nëse për këtë do të kishte vullnet.
Edhe pse kishte luajtur në atë miqësore, Hadërgjonaj nuk ishte deklaruar prerazi se për cilën përfaqësuese do të luante. Por në një intervistë për “The Guardian”, Hadërgjonaj ka treguar se ka zgjedhur Zvicrën. Ai është lindur në qytetin Langnau të Zvicrës.