Në muajt kur priten aktakuzat e para nga Prokuroria e Specializuar në Hagë është raportuar se Prokurori i Specializuar, Jack Smith, do të jep dorëheqje, si rrjedhojë e angazhimit të tij në zgjedhjet në Amerikë.
Megjithatë, këtë gjë e kanë mohuar në zyrën për media të PS-së.
Zëdhënësi i Zyrës së Prokurorit të Specializuar, Christopher Bennett , ka thënë për Gazetën Express se raportimi se Jack Smith, Prokurori i Specializuar do të jep dorëheqje pasi që do të angazhohet në zgjedhjet që pritet të mbahen në Amerikë nuk është i vërtetë.
“Raportimi nuk është i vërtetë”, ka thënë Bennett.
Paralajmërimin për dorëheqjen e Smith e ka bërë sot ish-këshilltari i Kadri Veselit, Blerim Latifi përmes një shkrimi në Facebook.
“Para disa kohësh ishte paralajmëruar se akuzat e para nga Gjykata Speciale do të mund të shpalleshin gjatë kësaj vere! Gjërat, siç duket, kanë ndryshuar.Kryeprokurori i Dhomave të Specializuara Jack Smith pritet të japë dorëheqje nga posti i tij, mbase për t’iu bashkuar fushatës elektorale të presidentit Trump. Meqë zgjedhjet në SHBA po afrohen, nuk pritet të emërohet një kryeprokuror i ri deri pas përfundimit të tyre”, ka thënë Latifi, duke shtuar se si rrjedhojë e kësaj aktakuzat do të shtyhen në vitin tjetër.
“Rrjedhimisht akuzat eventuale, në mungesë të kryeprokurorit, me gjasë do të shtyhen për në vitin tjetër”, tha ai.
Në muajin shkurt të këtij viti, Prokurori i Specializuar ka njoftuar Kryetaren e Dhomave të Specializuara të Kosovës se ka ndërmend të fillojë procedime penale para Dhomave të Specializuara dhe ka bërë kërkesë për caktimin e një gjykatësi të procedurës paraprake në pajtim me Ligjin.
Këto aktakuza është paralajmëruar se do të konfirmohen gjatë këtyre muajve.