Betohet prokurori i ri amerikan i Dhomave të Specializuara të Kosovës

Prishtinë | 11 Sht 2018 | 17:20 | Nga

Prokurori i Specializuar, Jack Smith, ka nënshkruar sot deklaratën solemne se do t’i ushtrojë funksionet e tij në mënyrë të pavarur, të paanshme, dhe të ndërgjegjshme, njofton Zyra e Prokurorit të Specializuar.

Kjo është në përputhje me nenin 36 të Ligjit për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar.

“Smith u zgjodh në postin e Prokurorit të Specializuar në maj të vitit 2018, pas një procesi përzgjedhës të organizuar nga Bashkimi Evropian dhe pas emërimit të tij nga Shefja e Misionit të EULEX-it, Alexandra Papadopoulou”, bëhet e ditur në njoftimin për medie.

Smith e nënshkroi deklaratën solemne në Zyrën Administrative të Dhomave të Specializuara, në prani të Administratores, Dr. Fidelma Donlon, e cila ishte dëshmitare e nënshkrimit.

Smith është prokuror amerikan me përvojë në hetime politike të nivelit të lartë dhe në hetime penale ndërkombëtare.

Ai është pasardhës i Prokurorit të parë të Specializuar, David Schwendiman, më herët edhe Kryeprokuror i Task Forcës Hetimore Speciale, i cili e lëshoi detyrën në mars, pas përfundimit të mandatit të tij si zyrtar i Shërbimit të Jashtëm të Shteteve të Bashkuara.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme