Komisionari për zgjerim i Bashkimit Evropian, Johannes Hahn, kërkoi që mediat në Ballkanin Perëndimor të ndihmohen me mbështetje financiare dhe tha se për lirinë e mediave dhe mbrojtjen e gazetarëve nuk janë të mjaftuesheme vetëm ligjet, por edhe gjyqësori efikas dhe i pavarur që garanton zbatimin e këtyre ligjeve.
Strategjia e BE-së për Ballkanin Perëndimor ka krijuar dinamikë të re në perspektivën evropiane të rajonit dhe procesi i zgjerimit “ka marrë një vrull të ri pozitiv”, por ky, fatkeqësisht, nuk është rasti edhe te liria e mediave, tha Hahn në Shkup, teksa hapi konferencën dyditore “BE-Ballkani Perëndimor: Ditët e mediave”.
Hahn po ashtu tha se mediat mund t’i kontribuojnë pajtimit në Ballkanin Perëndimor, duke iu kundërvënë stereotipeve dhe polarizimeve.
Duke folur për pozitën ekonomike të mediave, Hahn theksoi nevojën që mediat në Ballkanin Perëndimor të kenë mbështetje konkrete financiare.
Në tubimin e rreth 300 përfaqësuesve të mediave dhe organizatave të shoqërisë civile, përfaqësuesi i OSBE-së për Lirinë e Medias, Harlem Desir, tha se dhuna ndaj gazetarëve po rritet globalisht dhe se gazetarët në Ballkanin Perëndimor janë veçanërisht të cenueshëm.
Kryeministri i Maqedonisë, Zoran Zaev, tha se “lajmet e rreme vazhdojnë të inkurajojnë konflikte”.