Ish-komisioneri i Bashkimit Evropian, Johannes Hahn, ka deklaruar se nuk do të ketë asnjë lloj lëshimi në procesin e anëtarësimit në Bashkimin Evropian dhe se të gjitha vendet kandidate, përfshirë Serbinë, duhet t’i përmbushin plotësisht standardet e BE-së.
Në një intervistë për revistën NIN, Hahn tha se anëtarësimi në BE është një vendim shumë serioz si për vendet kandidate, ashtu edhe për vetë Unionin, duke theksuar se në rastin e Serbisë vazhdojnë të ekzistojnë shumë çështje të hapura.
“Nëse flasim për Serbinë, ende ka shumë çështje të pazgjidhura, përfshirë një nivel mjaft të ulët të harmonizimit të politikës së jashtme me atë të Brukselit”, deklaroi Hahn, duke komentuar rënien e vazhdueshme të mbështetjes për anëtarësimin e Serbisë në BE.
Ai hodhi poshtë idenë e pranimit të përshpejtuar të vendeve të Ballkanit Perëndimor “në paketë”, duke theksuar se procesi i zgjerimit është individual dhe bazohet në meritë dhe përmbushje konkrete të standardeve të BE-së.
“Nuk ka procedurë të përshpejtuar dhe as popust. Çdo vend kandidat vlerësohet veçmas dhe në bazë të asaj që ka arritur”, theksoi Hahn, shkruan gazeta Express.
Sipas tij, edhe vetë Bashkimi Evropian duhet të përgatitet për zgjerimin me më shumë se 30 vende anëtare, çka kërkon ndryshime në sistemin e vendimmarrjes, përfshirë kalimin nga vendimmarrja me konsensus në atë me shumicë të kualifikuar.
Megjithatë, Hahn nënvizoi se BE-ja mbetet e përkushtuar ndaj integrimit të vendeve të Ballkanit Perëndimor, por pa kompromentuar standardet e saj.
“Nëse i gjithë rajoni i Ballkanit Perëndimor bëhet pjesë e familjes evropiane, kjo do të ishte në interes të të gjithëve – si të rajonit ashtu edhe të BE-së. Por kjo mund të ndodhë vetëm nëse vendet kandidate i përmbushin plotësisht standardet për anëtarësim”, tha ai.
Duke iu referuar diskutimeve për anëtarësimin më të shpejtë të Ukrainës dhe Moldavisë, Hahn theksoi se edhe në këto raste nuk do të ketë lëshime.
“Nuk mund të ketë leshime. Çdo shtet kandidat duhet t’i përmbushë kushtet dhe standardet e përbashkëta të Bashkimit Evropian”, u shpreh Hahn.
Sa i përket luftës në Ukrainë, ai vlerësoi se përfundimi i saj kërkon mbështetje të fortë dhe efektive ushtarake për Ukrainën, e cila do të kishte efekt parandalues ndaj Rusisë dhe do të krijonte kushte për armëpushim dhe negociata.