Komisioneri i Bashkimit Evropian për Zgjerim, Johannes Hahn, ka thënë se shpreson se partive politike në Kosovë nuk do t’iu duhen plot nëntë muaj për ta formuar qeverinë e re siç kishte ndodhur në vitin 2014.
Ai ka thënë se rezultati i zgjedhjeve të 11 qershorit nuk ofron shumicë të qartë për të formuar Qeverinë e re.
“Rezultati është definitivisht i atillë që nuk ofron një shumicë të qartë për ta formuar Qeverinë dhe shpresoj se nuk do të duhen deri në nëntë muaj [për ta formuar qeverinë] siç ndodhi herën e fundit [2014],” ka thënë Hahn për Reuters.
Me numërimin pothuajse të plotë të votave koalicioni PAN prin me 33.98%, VV e dyta me 27.12% dhe në vendin e tretë koalicioni mes Lidhjes Demokratike të Kosovës, Aleancës Kosova e Re dhe Alternativa me 25.74%.