Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari, bashkë me këshilltaren e lartë Leman Hatash dhe zëvendësen e drejtorit të Departamentit të Turizmit, Lumturije Geci, morën pjesë, përmes formës virtuale, në konferencën rajonale të nivelit të lartë – Turizmi si një Çelës i Zhvillimit të Qëndrueshëm, e organizuar nga Këshilli Rajonal për Bashkëpunim (RCC).
Përveç përfaqësuesve të RCC në konferencë ishin të pranishëm përfaqësues nga Komisioni Evropian, nga Organizata Botërore e Turizmit, ministrat përkatës për turizmin nga 6 vendet e Ballkanit Perëndimor dhe ekspertë rajonal nga fusha e turizmit. Konferenca kishte për qëllim arritjen e pajtueshmërisë rreth “Deklaratës së Tiranës” për protokollet e përbashkëta rajonale për të mbështetur rimëkëmbjen dhe rritjen e turizmit të qëndrueshëm në Ballkanin Perëndimor, por edhe nevojat për zhvillimin e ofertës së përbashkëta rajonale pas pandemisë COVID-19.
Fjalimi i plotë i ministres Rozeta Hajdari:
Përshëndetje për të gjithë përfaqësuesit nga Komisioni Evropian, Këshilli Rajonal për Bashkëpunim, Organizata Botërore e Turizmit, Ministrat nga gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor dhe te gjithë të pranishëm në këtë konferencë.
Ndjehem e nderuar me ftesën nga Këshilli Rajonal për Bashkëpunim,
Sektori i turizmit është shumë i rëndësishëm për përmirësimin e marrëdhënieve me shtetet fqinje dhe mund të kontribuojë ndjeshëm në zhvillimin e përgjithshëm ekonomik dhe konkurrencën në vend dhe në rajon, duke prodhuar efekte të mëdha në investimet dhe marrëdhëniet tregtare, zhvillimin e kapitalit njerëzor, vlerësimin e qëndrueshëm të trashëgimisë kulturore dhe rritjen e ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme (NVM).
Republika e Kosovës si pjesë e 6 vendeve të Ballkanit Perëndimor (WB6), për zhvillimin e sektorit të turizmit duhet të bazohet në burime natyrore dhe trashëgimi kulturore, të cilat përfaqësojnë një avantazh konkurrues në vend dhe në rajon.
Unë jam e vetëdijshme për krizat në sektorin e turizmit që kanë reflektuar negativisht me rënie drastike gjatë kohës së pandemisë COVID 19 dhe statistikat shqetësuese tregojnë rënien drastike të numrit të vizitorëve dhe rënien e të hyrave ne vendin tonë dhe në rajon. Megjithatë, krizat paraqesin një mundësi për të ri menduar sesi turizmi ndërvepron me shoqëritë tona, sektorët e tjerë ekonomikë dhe burimet tona natyrore dhe kulturore si dhe ekosistemet, prandaj për këtë arsye turizmi paraqet mundësinë për t’u “ndërtuar përsëri më mirë”. Për më tepër, gjithëpërfshirja në sektorin e turizmit duhet të mbështetet përmes angazhimit të palëve të interesit dhe bashkëpunimit në nivelin lokal, rajonal dhe ndërkombëtar.
Në këtë drejtim, unë do të doja të shprehja vlerësimin tim për përpjekjen e Këshillit Rajonal për Bashkëpunim ( RCC) për të na sjellë së bashku përmes Deklaratës së Tiranës si një mjet i dobishëm për të ndërtuar më tej zhvillimin rajonal të turizmit, ku të gjithë mund të përfitojmë si partnerë të barabartë. Përndryshe, nëse nuk jemi të barabartë, këto iniciativa rajonale janë shumë të brishta dhe nuk mund të kenë sukses. Ne jemi këtu për të marrë pjesë si partner i barabartë, bashkë me të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor. E them këtë, sepse vendi ynë nuk ka përfituar aq shumë nga iniciativat rajonale deri më tani. Por me projektin Triple P, në kuadër të RCC, Kosova ishte e barabartë në përfitim nga përkrahja e dhënë për zhvillimin e turizmit kulturor dhe turizmit të aventurës. Vitin e kaluar ne po ashtu kemi qenë të përfshirë dhe kemi mbështetur në procesin e zhvillimit dhe hartimit të “Vlerësimit të ndikimit COVID-19 në industrinë e turizmit në Ballkanin Perëndimor’’. Statistikat e këtij vlerësimi tregojnë që Kosova dhe rajoni kanë pësuar humbje drastike me rreth -70% vizitorë ndërkombëtarë në vend.
Protokollet e zakonshme në lidhje me parandalimin e pandemive të rekomanduara nga Këshilli Botëror i Turizmit dhe Udhëtimit (WTTC) dhe organizata të tjera ndërkombëtare të turizmit janë shumë të frytshme në krijimin e kushteve të sigurisë përgjatë destincioneve tona të turizmit. Një protokoll siç është Vula e Udhëtimit të Sigurt ( Safe Travel Stamp), ne si vend arritëm ta krijonim dhe zbatonim në disa prej organizatave të turizmit dhe subjekteve të tjera që merren me shërbime turistike. Unioni i Turizmit të Kosovës në bashkëpunim me Ministrinë e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë është duke e zbatuar këtë protokoll. Prandaj, në lidhje me “Deklaratën e Tiranës” për protokollet e përbashkëta rajonale për të mbështetur rimëkëmbjen dhe rritjen e turizmit të qëndrueshëm në Ballkanin Perëndimor, Republika e Kosovës është e gatshme të marrë pjesë dhe të ketë mbështetje dhe kontributin e saj.
Është e një rëndësie të madhe që ne të gjitha 6 vendet e Ballkanit Perëndimor (WB6) të koordinohemi me veprimet përkatëse që sjellin rimëkëmbjen e shpejtë dhe hapin rrugën për një riorganizim më të mirë të sektorit te turizmit dhe ndikimin pozitiv ekonomik. Ne duhet të punojmë për të hequr pengesat që dëmtojnë vendin tonë dhe rajon. Turistët tanë duhet të jenë në gjendje të udhëtojnë lirshëm dhe taksat ndërkufitare për autobusët duhet të hiqen.
Ballkani Perëndimor është destinacioni i ardhshëm me interes për miliona turistë dhe tani në rritje bazuar në trendët e pesë viteve të fundit, andaj me veprime të përbashkëta, masa të përbashkëta dhe protokolle të përbashkëta rajonale, ne mund të tërheqim investime ndërkombëtare për zhvillimin e turizmit që mbështesin krijimin e vendeve të punës me ndikim afatgjatë ekonomik.
Lidhur me “Deklaratën e Tiranës”, ne si politikëbërës në sektorin e turizmit duhet të përqendrohemi në zhvillimin e veprimeve të përbashkëta në mënyrë që të parandalojmë pasojat pandemike të COVID 19 me protokollet e përbashkëta të propozuara në “Deklaratën e Tiranës”. Ne jemi të gatshëm të vazhdojmë bashkëpunimin me RCC duke marrë parasysh rëndësinë strategjike të sektorit të turizmit, në mënyrë që të rrisim numrin e vizitorëve në gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor ( WB6 ) për të promovuar turizmin si një sektor i rëndësishëm në zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik me:
– Vazhdimin e bashkëpunimit rajonal për zhvillimin dhe promovimin e turizmit;
– Zhvillimin e masave të rimëkëmbjes pas Pandemisë COVID 19 dhe protokolleve të përbashkëta rajonale;
– Vazhdimin e avancimit të legjislacionit, promovimin e arsimit dhe aftësimit në sektorin e turizmit, sigurimin e certifikimit në nivel kombëtar dhe rajonal;
– Zhvillimin dhe zbatimin e standardeve dhe protokolleve të shëndetit dhe sigurisë dhe mirëmbajtjen e tyre në përpjekjet e përbashkëta rajonale.
Ne jemi dakord me Deklaratën e përbashkët të Tiranës, të propozuar nga RCC, dhe vazhdojmë të përkushtohemi si partner i barabartë në çdo përpjekje drejt mbështetjes dhe rindërtimit të sektorit rajonal dhe lokal të turizmit.
Ju faleminderit!