Hajrizi: Zgjerimi i UBT-së në Ferizaj – mundësi e madhe për studentët

Prishtinë | 21 Tet 2016 | 15:19 | Nga

“Prania e UBT-së në Ferizaj është një punë e madhe dhe e suksesshme. Mbi të gjitha, do të jetë lehtësim i madh për studentët e këtij qyteti dhe qyteteve përreth”, tha sot rektori i UBT-së, Edmond Hajrizi, në një ceremoni organizuar me rastin e licencimit dhe hapjes së degës së UBT-së në Ferizaj.

Ai theksoi se zgjerimi i UBT-së në Ferizaj është rezultat i përkushtimit dhe punës së palodhshme, me qëllim të rritjes së cilësisë, kreativitetit e inovacionit.

“Falë këtyre përpjekjeve, edhe suksesi i UBT-së dhe studentëve tanë ka qenë, është dhe do të jetë gjithmonë i pritur dhe i pranishëm’, ka thënë rektori.

Në ceremoninë e organizuar të enjten, në objektin e UBT-së në Ferizaj, ishin të pranishëm profesorë dhe studentë të UBT-së, ekspertë të huaj e vendorë, prindër si dhe mysafirë të tjerë.

Hajrizi theksoi se ky institucion ka rritur infrastrukturën, cilësinë e stafit, cilësinë e studentëve, por edhe shtrirjen nëpër qytete të shumta të Kosovës, duke përfshirë Prishtinën, Lipjanin, Prizrenin dhe së fundmi, Ferizajn.

“Puna dhe zgjerimi i UBT-së nuk do të ndalet më kaq. Ne kemi edhe shumë punë për të bërë, në mënyrë që ta ruajmë epitetin e institucionit më të mirë të arsimit të lartë privat në Kosovë”, u shpreh Hajrizi, teksa falënderoi të gjithë kontribuuesit për rritjen dhe ngritjen e cilësisë së UBT-së.

Drejtori për Çështje Akademike i UBT-së, Armend Muja tha se UBT është ndër institucionet më të suksesshme të arsimit të lartë në Kosovë dhe më gjerë. Sipas tij, këtë më së miri po e dëshmon shtimi i numrit të studentëve, partneriteti me shumë universitete, kompani e organizata vendore dhe të huaja, por mbi të gjitha, nevoja për shtrirjen e tij nëpër shumë qytete të Kosovës.

“Të jesh lider në arsim dhe edukim të gjeneratave, nuk është aspak e lehtë, sepse duhet punë dhe përkushtim shumë i madh, në mënyrë që studentët të kenë gjithçka që kanë nevojë”, tha Muja.

Dekani i fakultetit të Infermierisë në UBT, Fitim Alidemaj tha se kjo është ndër ditët më të veçanta dhe më të rëndësishme për UBT-në, sepse puna dhe mundi është shpërblyer.

“Nevoja për shtrirjen e UBT-në në këtë qytet ka qenë e domosdoshme, sepse këtu gjenden shumë prindër dhe studentë, të cilët të ardhmen e tyre na e kanë besuar neve”, u shpreh Alidemaj.

Zgjerimin e UBT-së në Ferizaj, me licencim të programeve të reja, e mirëpritën edhe prindërit dhe studentët e këtij qyteti.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme