Hajrush Behluli, bashkëshorti i këngëtares së njohur Shkurte Fejza, ka reaguar përmes një shkrimi lidhur me qëndrimin e Jakup Krasniqit në paraburgim në Hagë, duke shprehur shqetësimin për fatin e tij dhe për atë që e konsideron padrejtësi ndaj një njeriu që ia kushtoi jetën çështjes kombëtare.
Behluli rikujton se Krasniqi vuajti dhjetë vjet burg në burgjet jugosllave për idealin e lirisë, ndërsa sot, pas shumë dekadash, ndodhet sërish prapa grilave, këtë herë në Hagë.
Ai ngre pikëpyetje për procesin gjyqësor, veçanërisht për dëshmitë e fshehta dhe pretendimet që, sipas tij, janë mbështetur kryesisht në materiale të përgatitura nga shërbimet sekrete serbe.
Në reagimin e tij, Behluli kritikon edhe heshtjen shoqërore përballë fatit të ish-zëdhënësit të UÇK-së, duke theksuar se përgjegjësia për këtë gjendje nuk u takon vetëm institucioneve të drejtësisë, por edhe shoqërisë kosovare.
Ai vlerëson se Jakup Krasniqi dhe bashkëluftëtarët e tij nuk kërkojnë mëshirë, por drejtësi, gjykim të paanshëm dhe respekt për dinjitetin njerëzor.
Në fund, Behluli e përmbyll shkrimin me një mesazh të fuqishëm, duke kërkuar që sakrifica e çlirimtarëve të mos harrohet dhe që shoqëria të mos heshtë përballë asaj që ai e konsideron padrejtësi.
“Të mos lejojmë që sakrifikuesit të kalben në burgje, ndërsa përfituesit e tradhtisë të jetojnë në privilegje!”, përfundon reagimi i Hajrush Behlulit.