Haki Abazi e lidh diçka me Rusinë protestën e PSD’së për shtrenjtimin e rrymës

Prishtinë | 29 Jan 2022 | 13:19 | Nga Ekonomia Online

Partia Socialdemokrate e Dardan Molliqajt sot do të organizojë protestë kundër shtrenjtimit të çmimit të energjisë elektrike. Në prag të kësaj proteste përmes një shkrimi në ‘facebook’ ka reaguar deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Haki Abazi, duke thënë se çështja e energjisë nuk duhet shfrytëzuar për vota.

Në këtë shkrim Abazi ka bërë një analogji ndërmjet përpjekjeve të Putinit për destabilizim përmes reduktimit të gazit dhe tollovive në tregun e energjisë dhe protestës që po organizohet sot në Kosovë nga partia e Dardan Molliqajt.

Abazi thotë se protesta është e drejtë qytetare, megjithatë sipas tij duhet kuptuar thelbin e problemit dhe nuk duhet rënë në “kurthat” që synojnë destabilizimin e Evropës dhe botës demokratike.

“Protesta është e drejtë demokratike qytetare, por të kuptuarit e rrënjës së problemit për të cilin protestohet poashtu është e drejtë qytetare, që duhet të na udhëheqë në rrugën e kohezionit dhe veprimeve që janë të mençura dhe të duhura. Më së paku na duhet të biejmë në “kurthat” që janë ndërtuar për qëllime të palëve që synim e kanë destabilizimin e Evropës dhe botës demokratike”, ka shkruar Abazi.

Reagimi i plotë:

Energjia-Rusia- Protesta

Në muajin qershor të vitit të kaluar Rusia filloi të zvoglëoj sasinë e gazit që furnizon Evropën. Ky veprim në mënyrë të dukshme, ashtu siç kishte llogaritur Putin, ndikoi në destabilizimin e tregut energjetik dhe ngritje rapide të çmimeve dhe natyrisht rritje të revoltës qytetare meqë rritja e çmimit të gasit në mënyrë zingjirore shkakton rritje të çmimit të produkteve dhe shërbimeve.

D.M.TH qëllimi Rus vazhdon të jetë që nëse nuk mundet të arrijë qëllimet me ndërhyrje në sistemin zgjedhor dhe formave konvencionale të përcaktojë fituesin në zgjedhje, atëherë e bënë duke destabilizuar shtetet politikisht nëpërmjet rritjes së çmimit të energjisë.

Gjithashtu është e e qartë që tendenca për të kontrolluar zhvillimet globale dhe arkitekturën e re energjetike në botë mund të bëhet edhe shkaktari i luftës së tretë botërore. Përplasja në Ukrainë është betejë e energjisë që përcakton rrjedhat e tregut dhe interesave sidomos në tregjet “emerging markets”.

Protesta është e drejtë demokratike qytetare, por të kuptuarit e rrënjës së problemit për të cilin protestohet poashtu është e drejtë qytetare, që duhet të na udhëheqë në rrugën e kohezionit dhe veprimeve që janë të mençura dhe të duhura. Më së paku na duhet të biejmë në “kurthat” që janë ndërtuar për qëllime të palëve që synim e kanë destabilizimin e Evropës dhe botës demokratike.

Kjo gjë duhet shikuar edhe nga prizmi i njerëzve që u konsideruan si shpërndarës të propagandës Ruse në trojet shqiptare. Sot, trazirat ju duhen atyre që dështuan ta ndajnë Kosovën dhe që tentuan ta përmbysin vullnetin demokratik të qytetarëve.

Energjia jonë e përbashkët njerëzore duhet orientuar drejt arritjes së zgjidhjeve adekuate, të qëndrueshme, të gjelbëra dhe brenda kornizave të Bashkimit Evropian.

Energjia elektrike dhe energjetika si sektor është domen i interesit nacional dhe asesi instrument politik për vota e aq më pak duhe të jetë karrem për destabilizim.

Të ngjashme