Haki Abazi tregon se si e njeh Lajçakun: Kurti i ka ditur të gjitha për të

Prishtinë | 22 Sht 2023 | 15:27 | Nga Ekonomia Online

Deputeti i Kuvendit të Kosovës, Haki Abazi, ka treguar në emisionin DPT te Fidani, në ATV, se kryeministri Kurti ka qenë i informuar për mënyrën se si ka ardhur Mirosllav Lajçak në pozitën e ndërmjetësit në dialog, informata këto që Abazi tha se ia ka dhënë ai. Mirëpo, sipas tij, Kurti i ka anashkaluar.

Siç ka treguar Abazi, me emisarin Lajçak njihet tash e një kohë të gjatë dhe se ai e ka të pamundur që të rrijë neutral në dialog shkaku që s’e ka njohur pavarësinë e Kosovës si ministër i Punëve të Jashtme të Sllovakisë, shkruan Reporteri.net.

“Me z. Lajçak, në fakt, kemi qenë disa herë panelistë në State Department (Departament të Shtetit) bashkë. Në njërin prej këtyre rasteve ka qenë i ftuar edhe Kurti, të cilit nuk iu ka dhënë viza. Do të thotë, njihemi për një kohë të gjatë. Qëndrimet e mia kanë qenë shumë të qarta që ai nuk mundet me përfaqësu asnjë mendim neutral ndaj Kosovës sepse si ministër i Punëve të Jashtme ka refuzu njohjen e pavarësisë së Kosovës. Dhe natyrisht ne e dimë që një minoritet sllovak edhe sot jeton në Vojvodinë, dhe interesi primar i Lajçakut është që ta ruajë këtë minoritet, dhe nuk mundet të bëhet shkak i një lloj presioni më të madh sesa e kanë”.

Kur u pyet se a i ka pasë këto informata Kurti, deputeti Haki Abazi tha se i ka theksuar disa herë në mbledhje të grupit parlamentar të LVV-së, por se nuk iu morën parasysh.

“Absolutisht. Të gjitha. Në grupin parlamentar dëshmitarë janë të gjithë ata që kanë qenë pjesëmarrës, ku më është thënë se “e njohim ne Lajçakun, e dimë si do merremi me të. Ky është njeri që na ka dhënë informacionet e sakta për procesin”. Ky ka qenë qëndrimi i Bislimit si kryenegociator. Unë kam qenë decidiv që procesi në të cilin jemi futë, edhe drejtimin të cilin po e udhëheq Lajçaku, keni me përfundu në një përplasje të jashtëzakonshme duke dëmtu interesin e Kosovës”, teksa shtoi se më pastaj ai u largua nga Kurti si kryetar i Komisionit të Punëve të Jashtme.

Ai tutje tha se emisari Lajçak, kur vjen në Kosovë, refuzon të takohet me Abazin. Kjo pasi, sipas tij, ai e di prej nga burojnë qëndrimet e Lajçakut.

“E di shumë mirë Lajçak që unë e njoh që nga baza se nga buron fuqia e tij politike dhe organizimi i tij, përfshirë edhe lobimi i fuqishëm që Serbia ka bo që ai të bëhet lehtësues te kancelarja Merkel, në kohën kur është caktu Lajçak si ndërmjetësues pas Mogherinit. Krejt këto informacione i ka pasë z. Kurti, sot hiqet si viktimë”, ka deklaruar ai.

Të ngjashme