Halil Matoshi e Muharrem Nitaj pritet të marrin pozita në Qeverinë Hoti

Prishtinë | 10 Qer 2020 | 17:41 | Nga Ekonomia Online

Nuk dihet se sa zëvendësministra do të emërohen në Qeverinë e Avdullah Hotit, megjithatë AAK’ja e Ramush Haradinajt tashmë ka zgjedhur disa prej tyre. Halil Matoshi e Muharrem Nitaj pritet të jenë dy nga ta.

Akoma nuk është emëruar asnjë zëvendësministër në Qeverinë e Avdullah Hotit, partnerët e  koalicionit LDK-AAK-Nisma-minoritetet nuk e kanë saktësuar se sa do të jetë numri i tyre.

Halil Matoshi e Muharrem Nitaj pritet të marrin pozita në Qeverinë Hoti

Zëvendësministrat e qeverive të fundit kryesisht janë përmendur për numrin e madh të tyre. Para Qeverisë Kurti, ishin emëruar rreth 70 dhe 80 të tillë, ndërsa LDK e Lëvizja Vetvendosje e reduktuan numrin e tyre në 35.

Gazeta Express mëson se AAK’ja për këtë pozitë ka zgjedhur disa prej zyrtarëve të saj, përfshirë Halil Matoshin e Muharrem Nitajn.

Nënkryetari i AAK’së, Muharrem Nitaj, e ka konfirmuar se emri i tij për përmendet për zëvendësministër brenda partisë.

“Aleanca është në një fazë diskutimi për përzgjedhjen e zëvendësministrave nga radhët e saj dhe këtë çështje po e diskuton ne forumet e saj. Janë diskutuar disa emra e ne mesin e tyre edhe emri im, por ende nuk ka një vendim final”, ka thënë nënkyetari i AAK’së.

Nitaj pritet të emërohet zëvendësministër në Ministrinë e Ekonomisë dhe Ambientit, të cilën e udhëheq Blerim Kuçi i AAK’së.

Publicisti dhe shkrimtari, Halil Matoshi, që ishte këshilltar i ish-kryeministrit Ramush Haradinaj, pritet të emërohet zv.ministër në Ministrinë për Kulturë, Rini e Sport, të cilën edhe udhëheq Vlora Dumoshi i LDK’së.

Emra të tjerë që po diskutohen për zv.ministra janë edhe Magbule Shkodra nga Forumi i Gruas së AAK’së, Arbër Grabovci nga dega e AAK’së në Pejë, Driton Bardheci nga Aleanca e të Rinjve.

LDK’ja po i diskuton emrat e zëvendësministrave të saj me kryetarët e degëve, ndërsa akoma nuk ka vendosur për ta.

Në marrëveshjen e LDK’së dhe AAK’së për koalicion qeverisës është thënë se numri i zëvendësministrave do të shpërndahet “konform fuqisë politike të partnerëve të koalicionit, në shpërndarjen e ministrive”.

Qeveria Hoti ka katër zëvendëskryeminisitra dhe 16 ministra. Ajo u votua me 3 qershor, pasi Gjykata Kushtetuese i dha të drejtë dekretit të Presidentit për mandatimin e Hotit për formimin e Qeverisë.

Të ngjashme