Socialogia Sibel Halimi është prurje e re në LDK, pasi Lumir Abdixhiku erdhi në krye të partisë.
Halimi në RTV Dukagjini thotë se Abdixhiku me të ardhur në krye të partisë hapi partinë.
“Në momentin kur Abdixhiku erdhi në krye të LDK-së, ndër hapat e tij të parë ishte hapja e partisë. Ky veprim i Abdixhikut është shumë i rëndësishëm për partinë në mënyrë që LDK-së t’i ofrohen disa kuadro të reja që të mund të kontribuojnë për partinë”, tha ajo, përcjell Telegrafi.
Anëtarja e Kryesisë së LDK-së thotë se qëndrimi i kësaj parti në raport me presidenten do të bëhet i ditur shumë shpejt.
Halimi beson se LDK do të vazhdojë të jetë konstruktive sidomos me proceset e rëndësishme nacionale.
“LDK nuk do të hedh gaz lotsjellës, por normalisht se do të japim rol në bërjen e ligjeve në Kuvendin e Kosovës. LDK do të ketë edhe një diskurs të ri politikë i cili është jashtëzakonisht i rëndësishëm për emancipimin e politikës kosovare. Kemi parë deri më tani një diskurs jo të përshtatshëm që nuk i ka sjellë Kosovës të mira”, deklaroi ndër të tjera Sibel Halimi.