Nënkryetari i Kuvendit Xhavit Haliti dhe deputeti i Vetëvendosjes, Sami Kurteshi janë përplasur për mëditjet e deputetëve.
Haliti, pas shqyrtimit të disa projektligjeve në Kuvend dhe pasi që nuk pati kuorum për t’u votuar, bëri thirrje nga administrata që nëse deputetët nuk paraqiten në ora 15:30 të ju hiqen mëditjet, raporton Ekonomia Online.
“Duhet të ju paralajmërojë tani që në ora 15:30 është votimi i ligjeve që kemi miratuar në lexim të parë. Kanë kohë të gjithë deputetët që kudo që janë me ardhur. Të gjithë deputetët të cilët pa arsye nuk janë për tu votuar autorizoj administratën të ju hiqen mëditjet. Nuk ka këtu parti, ka parlament kush nuk është e ka mëditjen e hequr”.
Por pas shqyrtimit të Projektligjit për kompleksin memorial “ Adem Jashari”, deputeti nga LVV-ja mori fjalën jo për këtë projektligj por për çështjen procedurale për heqjen e mëditjeve të deputetëve që nuk marrin pjesë në votim.
“Unë nuk dua të marrë fjalën për këtë projektligj por për çështje procedurale pak ma herët ju u deklaruar se gjithë ata që nuk vijnë në ora 15:30 për votim kërkoni nga sekretaria që të marrin masa”.
Por nënkryetari Xhavit Haliti tha se deputetit Kurteshi duhet të ju ndalet fjala pasi që është jashtë rendit të ditës ajo çfarë ai diskutonte.
“Ndalja fjalën. Është jashtë rendit të ditës. Unë e kam deklaruar dhe i përmbahen asaj. Mos na trego të drejtat e njeriut hajt pash zotin se nuk kam kohë me dëgjuar përralla të tua, le, rri qatu. E din kur mundesh me fol, ankohu në Gjykatë Kushtetuese”.
“Sami shko ankohu, unë e interpretoj rregulloren ti nuk e interpreton, rri qatu, rri mirë je”.
Kurteshi i thotë se nuk ka të drejtë që kryesuesi të ja ndalë fjalën.
Por Haliti i thotë se nëse dëshiron mund të ankohet në Gjykatë Kushtetuese pasi që ai vetëm po respekton rregulloren e Kuvendit.
“Sami shko ankohu, unë e interpretoj rregulloren ti nuk e interpreton, rri qatu, rri mirë je. Nuk je më ombusperson, je deputet, kurrfarë të drejte nuk ki, nëse t’i shkelim të drejtat po, nuk ke të drejta në kundërshtim me rregulloren me marrë fjalën, pikë”.
“Të lutem a do me të qit jashtë, eh rri pra”, shtoi Haliti.