Piloti britanik i Mercedesit, Lewis Hamilton, ka triumfuar të dielën në garën e Shpërblimit të Madh të Meksikës në Formula 1, duke iu afruar titullit të kampionit. Hamilton triumfoi për 1.766 sekonda para pilotit gjerman të Ferrarit, Sebastian Vettel. Valtteri Bottas i Mercedesit doli i treti, ndërsa ishte 3.553 sekonda prapa fituesit.
Hamilton kishte gjasa të siguronte titullin e tij të gjashtë të Formula 1, por i duhej të fitonte 14 pikë më tepër sesa Bottas. Hamilton në Meksikë fitoi dhjetë pikë më tepër sesa Bottasi, kështu që duhet të presë deri në garën e ardhshme për të konfirmuar titullin e kampionit.
Në të vërtetë gara në Meksikë ishte vlerësuar si pikë e dobët për skuderinë e Mercedesit dhe vlerësohej se Ferrari do të ngadhënjente, transmeton “Koha Ditore”. Mirëpo, Mercedesi zuri dy nga tri vendet në podium. Vendin e katërt të dielën e arriti Charles Leclerc i Ferrarit, ndërkohë të pestin Alex Albon i Red Bullit.
Hamiltoni ka një epërsi prej 74 pikësh në krye të renditjes, ndërsa deri në fund maksimalisht mund të fitohen 78 pikë, nga tri garat e mbetura. Për Hamiltonin ishte fitorja e dhjetë e stinorit dhe e 83-ta në karrierë.
Gara e ardhshme e Formula 1 do të jetë ajo e Shpërblimit të madh të SHBA-së fundjavën e ardhshme.
“Ne erdhëm këtu duke menduar se jemi në disavantazh. Ishim në dijeni se do të jetë garë e vështirë për ne. Por ia dolëm. Kisha një dëmtim të rëndë në bolid dhe ishte mjaft sfiduese. Nuk e kam problem që nuk e kam fituar titullin këtu. Më pëlqen garimi dhe e pranoj secilën garë”, ka thënë Hamilton.