Kampioni i gjashtëfishtë i Formula 1, Lewis Hamilton, është ylli më i pasur sportiv në Britani të Madhe. Hamilton gjendet në krye në listën “2020 Sunday times Rich List”.
Pasuria e 35-vjeçarit është rritur për afro 42 milionë euro për dallim nga viti i kaluar, duke arritur në total 253 milionë euro.
Ai është personi më i pasur në historinë 32-vjeçare të kësaj liste.
Golfisti Rory McIlroy, me pasuri rreth 192 milionë euro, është vetëm ylli tjetër sportiv në listën kryesore të 1000 personave më të pasur në Britani.
Ndërkohë në listën “E të pasurve të rinj”, listë e përbërë për ata që janë deri në moshën 30-vjeçare, dominojnë sportistët. 18 nga 50 vendet në këtë listë i zënë sportistët.
Gareth Bale i Real Madridit, me një pasuri rreth 129 milionë euro, gjendet në këtë listë, ndërsa aty është edhe kampioni i botës në peshën e rëndë në boks, Anthony Joshua, me pasuri mbi 120 milionë euro.