Hamiti e quan për keqardhje vendimin e BE-së për njohjen e pasaportave serbe: Lëshohen nga strukturat ilegale serbe në Kosovë

Prishtinë | 22 Kor 2024 | 14:54 | Nga Ekonomia Online

Anëtari i Kryesisë së Lidhjes Demokratike të Kosovës, Muhamet Hamiti e ka quajtur për keqardhje vendimin e Bashkimit Evropian për njohjen e pasaportave serbe me të cilat janë të pajisura serbët që jetojnë në Kosovë.

Ai thotë se këto pasaporta lëshohen nga strukturat paralele apo ilegale serbe në Kosovë.

“Vendimi për keqardhje nga #BE për njohjen e pasaportave të lëshuara nga strukturat paralele/ilegale serbe në Kosovë”, ka shkruar ai në X.

Këshilli i Bashkimit Europian ka vendosur t’ua heq vizat serbëve të Kosovës që posedojnë pasaporta serbe të lëshuara nga Drejtoria Koordinuese e Serbisë.

BE-ja njoftoi se miratimi i rregullores së re anulon “përjashtimin që aplikohej më herët”, raporton Gazeta Express.

“Sot, Këshilli i BE-së miratoi një rregullore që siguron se i gjithë rajoni i Ballkanit Perëndimor i nënshtrohet të njëjtit regjim vizash, duke anuluar përjashtimin që aplikohej më herët për mbajtësit e pasaportave serbe, të lëshuara nga Drejtoria e Koordinimit e Serbisë”, thuhet në njoftimin e BE-së.

Blloku njofton se vendimi do të zbatohet pasi të hyjë në fuqi (në ditën e 20-të pas botimit në Gazetën Zyrtare të BE-së).

Në fund të deklaratës së BE-së thuhet se “nga dhjetori i vitit 2009, mbajtësit e pasaportave biometrike serbe ishin të përjashtuar nga kërkesa për vizë kur udhëtonin në zonën Schengen”.

Komisioni Europian kishte propozuar heqjen e vizave për poseduesit e këtyre pasaportave në nëntor të vitit të kaluar dhe këtë e mbështeti edhe Parlamenti Europian në prill të këtij viti, përkundër kundërshtimit nga Kosova.

Kosova nuk i njeh pasaportat që Serbia i lëshon për serbët e Kosovës dhe poseduesit e tyre nuk mund të udhëtojnë me to nga aeroporti i Prishtinës.

Të ngjashme