Intervistë e portalit bullgar Epicenter.bg me Prof. Muhamet Hamitin, botuar më 19 shkurt 2019, në të cilën ai flet për dialogun me Serbinë, për idetë për korrigjim dhe/apo shkëmbim territoresh, si dhe për gjendjen aktuale politike e sociale në Kosovë.
Muhamet Hamiti është profesor i letërsisë angleze në Universitetin e Prishtinës, Republika e Kosovës. Në vitet 2002-2006 ka qenë zëdhënës dhe këshilltar politik i Presidentit Ibrahim Rugova, ndërsa ka qenë ambasadori i parë i Kosovës në Britaninë e Madhe në vitet 2008-2012.
Epicenter: Prof. Hamiti, Republika e Kosovës shënon 11-vjetorin e Pavarësisë dhe ndoshta çështja më e rëndësishme për shtetin e Kosovës është rregullimi i marrëdhënieve me Serbinë. Kur realisht do të rifillojnë negociatat ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit për zgjidhjen e problemeve të shumta?
Hamiti: Tani që Kosova po mbush 11 vjet ekzistence si shtet i pavarur, mbas një konsolidimi relatvisht të suksesshëm në arenën ndërkombëtare, sidomos në vitet e para, sepse kohët e fundit ka ngecje, vendi ynë ka një problem (jo probleme të shumta, mendoj unë) me fqiun verior, pushtuesin e dikurshëm. Po ta shohësh më mirë, problemi është i Serbisë, më shumë sesa i Kosovës, edhepse pasojat i bart vendi ynë: Serbia refuzon të njohë realitetin e Kosovës së pavarur tash e 20 vjet, prej çlirimit në qershor të vitit 1999, qëkur vendi ynë doli përfundimisht nga orbita e Serbisë, në të cilën ishte futur me dhunë, kundër vullnetin të vet. Me ndihmën e madhe të miqve, të NATO-s, të BE-së, të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, të vendeve të tjera nga gjithë globi, Kosova ia doli të rimarrë veten nga pasojat e luftës së viteve 1998/99, të rindërtojë vendin, të bëjë institucionet demokratike, të fitojë betejën për shtetësi të njohur gjerësisht në rrafsh ndërkombëtar. Republika e Kosovës është vend me të gjitha atributet e shtetësisë, e legjitimuar edhe nga vendimi i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë në korrik të vitit 2010, por që nuk gëzon njohje universale, anëtarësi në Kombet e Bashkuara, shkaku i kundërshtimit të Serbisë dhe i përkrahjes së kësaj të fundit prej Rusisë. Serbia është peng i Rusisë po aq sa i fantazisë së vet shekullore se Kosova është zemra e saj. Mbi të gjitha, Serbia është viktimë e një qasjeje vetëshkatërruese për mohim të realitetit. Ajo ende mohon politikën e vet gjenocidale kundër popullit shqiptar të Kosovës në vitet e nëntëdhjeta të shekullit të kaluar. Fundja, në krye të Serbisë sot janë dy udhëheqës, Presidenti Vuçiq dhe Ministri i Jashtëm Ivica Daçiq, që kanë qenë anëtarë të kabintetit të luftës të Presidentit serb, Kasapit të Ballkanit, Sllobodan Millosheviq. E tha me gojën e vet Vuçiqi gjatë një vizite në Mitrovicë, qytet në veri të Kosovës, në shtator të vitit të kaluar, se Millosheviqi ‘ka qenë lider i madh’, që për fat të keq nuk ia doli të realizonte politikat e tij. Politika e Millosheviqit ka qenë zhbërja e Kosovës dhe krijimi i Serbisë së Madhe. Për fatin e keq të Kosovës, Presidenti Vuçiq është autokrati i dashur i Perëndimit dhe i Rusisë.
Epicenter: Sipas Jush, çfarë temash do të diskutohen në dialog? A do të bisedohet për “korrigjimin e kufijve” apo për “Trepçën”?
Hamiti: Mbas legjitimimit të shtetësisë së Kosovës në kufijt e saj, Serbia nisi një proces të kontestimit të kësaj shtetësise nëpërmjet dialogut për çështje praktike me Kosovën, nën patronazhin e BE-së, që, siç po shihet tani lehtësisht në retrospektivë, i ka shërbyer më shumë Serbisë sesa Kosovës. Dialogu, me ndërmjetësim – më shpesh, në gjuhën diplomatike, quhet me lehtësim [angl. facilitation]) të BE-së – i ka lejuar Serbisë të vazhdojë të ushqejë fantazinë e vet se Kosova nuk është shtet i pavarur, se me manovra të suksesshme procesi i pavarësimit mund të kthehet mbrapa, falë qëndrimit ‘asnjanës’ të BE-së (të asaj që quhet ‘ambiguitet konstruktiv’ [angl;. constructive ambiguity] dhe udhëheqjes së keqe të këtij procesi nga politikani kryesor i Kosovës në këto vite, Presidenti i tanishëm Hashim Thaçi, që ka qenë edhe Kryeministër, dhe për një kohë Ministër i Jashtëm i vendit tonë. Më këtë lojë të dyfishtë (double game), Serbia ia ka dalë të avancojë në procesin e vet drejt anëtarësimit në BE, ndërsa Kosova ka ngecur.
Për më shumë, tani që po flitet për fazën përmbyllëse të dialogut, atë që po quhet marrëveshje obligative juridike ndërmjet të dyja vendeve, që duhet të përmbyllet me njohje të Kosovës, është hapur tema e kufijve. Ideja për ndarje të Kosovës është ide e moçme serbe, e riaktualizuar vitin e kaluar nën maska terminologjike ‘këmbim territoresh’, ‘korrigjim kufijsh’, që janë veçse eufemizma për ndarje. Për fatin e keq të Kosovës, Presidenti i vendit tonë Hashim Thaçi flet për ‘korrigjim kufijsh’ dhe/apo ‘këmbim territoresh’ varësisht se a i drejtohet audiencës kombëtare apo ndërkombëtare. Për fatin e mirë, as Kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj, as kryetari i Kuvendit të Kosovës Kadri Veseli (kryetar i Partisë Demokratike të Kosovës, themeltar dhe kryetar i së cilës deri para dy-tri vitesh ishe Hashim Thaçi) nuk e kanë përkrahur idenë e diskutimit të kufijve. Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), partia më e madhe shqiptare e Kosovës, aktualisht në opozitë, si dhe partia jetër opozitare, Vetëvendosje, janë kundër cenimit të integritetit territorial të Kosovës. Vetë Presidenti Thaçi, ndërkaq, por edhe qarqe nga Serbia dhe Brukseli, kanë lënë të kuptohet se do të diksutohen edhe çështje të brendshme të Kosovës në këto biseda me Serbinë në fazën finale. Diskutimi i kufijve dhe i çështjve të brendshme, duke përfshirë “Trepçën” dhe Ujmanin (Gazivodën), apo edhe çështje të trashëgimisë kulturore të vendit, do të ishte gabim fatal për Kosovën. Shpresoj shumë që as Delegacioni Shtetëror, që është delegacion qeveritar, sepse nuk përfshin forcat më të mëdha politike shqiptare, dhe në fund të fundit as Presidenti, nuk do të pranojnë të nxjerrin në tavolinë bisedimesh çështje të tilla, që janë e drejtë sovrane e shtetit tonë.
Epicenter: Ka disa paqartësi nga ana organizative. Kush do ta udhëheqë palën kosovare në këto bisedime – presidenti apo ekipi i qeverisë, si do t’i ndajnë kompetencat? A po rregullohet çështja e kompetencave përmes Ligjit për dialogun, i cili u votua nga Kuvendi para pak kohe?
Hamiti: Ligji për Dialogun është ende në procedurë parlamentare. Platforma e Delegacionit Shtetëror është miratuar sot (14 shkurt 2019) dhe do të nxirret në Kuvend për miratim. Të shohim si do të dalë kjo punë. Siç duken gjërat hëpërhë, udhëheqës i delegacionit është Presidenti Thaçi. Dy bashkëkryesuesit e delegacionit shtetëror janë udhëhqës të dy grupimeve të vogla politike shqiptare. Kryeministri i vendit, Ramush Haradinaj, e ka nxjerrë veten nga ky process. Praktikisht ka abdikuar. Ky është gabim.
Epicenter: A do të përfshihen partitë opozitare në dialog? A duhet të zgjerohet formati i negociatave, p.sh. me përfshirjen e përfaqësuesve nga SHBA-të?
Hamiti: Dy partitë opozitare, Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) dhe Vetëvendosje, që janë shprehur fuqishëm kundër ideve të Thaçit për korrigjim kufijsh dhe diskutim të çështjeve të brendshme, nuk duket se mund t’i bashkohen një platforme të tillë. Forca më e madhe politike, LDK-ja, partia shtetformuese e udhëheqësit pavarësist Ibrahim Rugovës, ka kohë që kërkon zgjedhje të reja për të siguruar legjitimitet të institucioneve kushtetuese të Kosovës, të cilat do të merrnin përsipër të përmbyllnin procesin e njohjes së Kosovës nga Serbia në kufijtë aktualë dhe pa prekur karakterin unitar të vendit tonë.
Shtetet e Bashkuara janë shprehur vetë se do të jenë të përfshira por jo të pranishme në tavolinën e bisedimeve në fazën finale të dialogut. Kosovë – Serbi. SHBA-të janë vend kyç për Kosovën dhe për gjithë rajonin tonë. Përkrahja e SHBA-ve për Kosovën e pavarur e sovrane është riafirmuar vazhdimisht. Kjo është jetike për vendin tonë.
Në fund të fundit, Republika e Kosovës është shtet i pavarur dhe udhëheqësit e saj e kanë për detyrë ta ruajnë tërësinë territoriale të vendit, sikur edhe sovranitetin e plotë. Serbia duhet të detyrohet të pranojë e njohë këtë realitet. S’ka pse Kosova t’i bëjë lëshime ish-okupatorit për të kënaqur apetitet e tij. Kosova ka bërë kompromise të dhimbshme me Pakon e Ahtisarit, gjatë bisedave ndërkombëtare për përcaktim të statusit përfundimtar të Kosovës, para vitit 2008. Kjo Pako, që u garanton serbëve dhe pakicave të tjera të drejta të pakundshoqe përfaqësimi në institucioneve vendore e qendrore, është mishëruar në Kushtetutën e Republikës sonë. Këtë kompromis duhet ta pranojë edhe Serbia, më në fund.
Epicenter: Po shtohet presioni nga ana e SHBA-ve për heqjen e taksës ndaj Serbisë, dersia kryeministri i Kosovës refuzon ndryshimin e politikës. A janë vënë në provë marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe SHBA-ve?
Hamiti: Në një mënyrë, janë vënë në provë këto marrëdhënie. Kjo nuk duhet të ndodhë assesi. Udhëheqësit e Kosovës, Presidenti, Kryeministri dhe Kryetari i Kuvendit, duhet të gjejnë mënyrën për të dalë prej këtij rrethi vicioz. Është e vërtetë që taksa e Kosovës për mallërat serbe është vendosur mbas një fushate të egër dhe shumë publike të Serbisë për çnjohje të Kosovës. Ndërsa punojnë kundër Kosovës, madje krekosen me rezultatet e tyre për minim të Kosovës në rrafsh ndërkombëtar, ish-bashkëpunëtorët e Millosheviqit, Vuçiq dhe Daçiq, duhet të presin reagimin e fortë të Kosovës me mjetet ligjore që ka vendi ynë në dispozicion. Presioni ekonomik është mjet shumë paqësor. Nëse punojnë kundër nesh s’kanë pse të presin t’ua hapim tregun tonë.
Kosova duhet të punojë ngusht me aleatët tanë, në radhë të parë me SHBA-të, por edhe me vende të BE-së, përkrahëse të Kosovës së pavarur, që të sigurojë reciprocitet të plotë në marrëdhëniet e veta me Serbinë. Taksa mund të hiqet – dhe besoj do të hiqet së shpejti – por duhet siguruar që Serbia të heqë dorë nga politikat agresive kundër Kosovës. Këtu vendet e përmendura mund të luajnë rolin e vet. Serbia s’mund të flasë për normalizim të marrëdhënieve me Kosovën sa për sy e faqe – sa për t’i siguruar vetes progres drejt BE-së – dhe të minojë Kosovën duke penguar hyrjen e Kosovës në sistemin ndërkombëtar. Aq më pak të pengojë Kosovën së brendshmi duke përdorur kontigjenin politik serb në Kosovë, që është i dirigjuar nga Beogradi. Ka vend në Kosovë për jetë normale të shumicës shqiptare dhe të pakicave, duke përfshirë serbët. Por kjo mund të bëhet duke pranuar e njohur serbët shtetin e Kosovës plotësisht.
Epicenter: Në janar Kosova u përball me tensione sociale. A u qetësua situata me Ligjin e pagave dhe me masat e ndërmarra nga qeveria?
Hamiti: Tensionet sociale janë shtuar. Ligji për Pagat dhe masat e Qeverisë veçse e kanë keqësuar gjendjen. Qeveri e Kryeministrit Ramush Haradinaj, që e proklamon veten si Qeveri e vendimeve të mëdha, ka dyfishuar rrogat e Kryeministrit e të këshilltarëve të vet, nja 35 sish, dhe gati ka dyfishuar rrogat e ministrave. Qeveritarët tanë kanë rroga më të mëdha sesa kolegët e tyre në vendet fqinje. Ky ishte vendim ‘i madh’, që ka irituar njerëzit dhe ka shtuar apetitet e shërbyesve civilë, të mësuesve, të punonjësve shëndetësorë, të administratës shtetërore. Një vendim i pamenduar i Kryeministrit dhe i rrethit të tij të ngushtë, dhe miratimi i ngutshëm Ligjit për Paga, që tani duket se nuk kënaq askë, edhepse masa buxhetore për rroga është shtuar dukshëm, ka shtuar pakënaqësitë. Për fatin e keq, zërat e arsyes në gjithë shoqërinë e Kosovës janë mbytur. Me shtime të tilla të paarsyeshme të rrogave mund të rrezikohet qëndrueshmëria buxhetore e shtetit. Shpresoj shumë se këtë mesazh do të kenë guximin ta shqiptojnë njerëzit, në radhë të parë partitë në opozitë, pa u frikësuar se humbin elektoratin duke ua thënë të vërtetën.
Epicenter: Çfarë është zgjidhja në këtë situatë, kur qeveria dhe institucionet e Kosovës ndodhen para shumë sfidash të brendshme dhe të jashtme dhe në të njëjtën kohë koalicioni qeverisës ka probleme me sigurimin e shumicës parlamentare – zgjerimi i koalicionit qeveritar apo zgjedhje të parakohshme?
Hamiti: Në gjendjen që është Kosova – në një paralizë institucionale, me pakënaqësi popullore, me hutim të përgjithshëm shoqëror – vendi ka nevojë për përtëritje të legjitimitetit demokratik të institucioneve, të Kuvendit dhe të Qeverisë. Kjo më së miri bëhet me zgjedhje të reja, që duhet të sjellin përfaqësim më dinjitoz. Për këtë duhet mobilizim i përgjithshëm shoqëror, vetëdijesim se me përfaqësues të këqinj Kosova nuk mund të bëjë përparime. Aq më pak kur, aktualisht, as pozita as opozita nuk kanë shumicë të qartë për të drejtuar vendin. Sfidat e Kosovës janë të mëdha, si në rrafshin e brendshëm, ashtu edhe të jashtëm. Aq të mëdha sa unë për vete mendoj se kemi nevojë për një Qeveri të Qeveri të Shpëtimit Kombëtar, me funksion të tillë qoftë edhe nëse emërtimin nuk e ka të tillë. Në 11-vjetorin e Pavarësisë së vendit tonë të dashur, koha është për reflektim të thellë.Shpëtimit Kombëtar, me funksion të tillë qoftë edhe nëse emërtimin nuk e ka të tillë. Në 11-vjetorin e Pavarësisë së vendit tonë të dashur, koha është për reflektim të thellë.