Anëtari i Kryesisë së LDK-së, Muhamet Hamiti, është shprehur i shqetësuar me raportet e Kosovës me aleatet perëndimor.
Ai ka bërë me dije se pushtetarët aktual kanë shkelur në terrenin e përplasjes me Perëndimin.
Në profilin e tij në “Facebook”, Hamiti ka shkruar se qoftë edhe ideja e lëkundjes se besimit të Kosovës në Perëndimin është me pasoja për shtetin.
“Me kastën aktuale pushtetore në Kosovë, e cila ka shkelur në një terren përplasjesh me Perëndimin, me miqtë dhe aleatët tanë tradicionalë, është ngjallur një pakicë e zhurmshme, që si e tillë, e zhurmshme sidomos në rrjete sociale e në studio televizive dhe e pakundërshtuar siç duhet, tingëllon si shumcë në veshët e shumëkujt, dhe bën të duket sikur po lëkundet besimi popullor për përkatësinë e Kosovës në Perëndim. Qoftë edhe ideja e lëkundjes – kalimtare, besoj – është potencialisht me pasoja për fatin e shtetit të Kosovës”, ka shkruar Hamiti.