Në Kuvendin e Kosovës ka filluar të mbahet debati parlamentar i thirrur nga grupi parlamentar i LDK-së lidhur me Kornizën Afatmesme të Shpenzimeve 2019- 2021.
Ministri i Financave, Bedri Hamza, tha se fushat e trajtuara me prioritet në këtë kornizë janë arsimi, punësimi dhe shëndetësia, qeverisja e mirë dhe sundimi i ligjit, industritë konkurruese, infrastruktura dhe buxheti, integrimi evropian, politika e jashtme dhe çështja e sigurisë.
“Zhvillimet e fundit ekonomike dhe reforma strukturore japin indikacione për rritje mesatare të lartë ekonomike. Sa i përket rritjes ekonomike, rritja reale pritet të jetë 5 përqind”.
Sipas Hamzës, prej vitit 2018 deri në 2021 të hyrat e përgjithshme planifikohet të rriten për 18.9%.
“Shpenzimet e përgjithshme pritet të rriten gradualisht. Në vitin 2021 shpenzimet e përgjithshme pritet të jenë 2 miliardë e 439 milionë euro apo 19.3 përqind më e lartë sesa viti 2018”.
Sipas kryetarit të grupit parlamentar të LDK-së, Avdullah Hoti, premtimet gjatë fushatës elektorale kanë qenë vetëm mashtrime, pasi korniza e qeverisë nuk planifikon asnjë nga premtimet e bëra, raporton Ekonomia Online.
“Ne kemi anlizuar në detaje këtë dokument dhe vlerësojmë që ky dokument e shpërfaq vizionin e kësaj qeverie. Premtimi për rritje ekonomike për 7 dhe 8% ka qenë mashtrim se në kornizë është 4%. Krijimi i vendeve të reja të punës gjithashtu ka qenë mashtrim”.
“Zoti Veseli gjatë fushatës ka nënshkruar marrëveshje me pensionet për rritjen e pensioneve, mirëpo në kornizë nuk është prezantu. Kjo kornizë e bën të qartë se sikurse premtimet elektorale edhe plani i qeverisë kanë qenë mashtrim. Për bujqit jo serbë qeveria mbulon 50 përqind të investimit në bujqësi, ndërsa për bujqit serbë ministri Rikalo mbulon 90% të investimit”.
Në emër të grupit parlamentar të PDK-së, Safete Hadërgjonaj, tha se korniza afatmesme e shpenzimeve parasheh rritje të zhvillimit ekonomik e në këtë aspekt edhe rritje të numrit të punësimeve.
Ajo tha se kjo kornizë është një plan i qeverisë i koordinuar me nevojat e qytetarëve.
“Korniza afatmesme e shpenzimeve përmbledh prioritetet e qeverisë. Për herë të parë kemi një dokument që prioritetet janë të specifikuara. Duke analizuar me kujdes kornizën afatmesme konstatojmë se është një plan financiar me nevojat e domosdoshme që i kanë qytetarët”.
Përfaqësuesja e grupit parlamentar të VV-së, Arbërie Nagavci, tha se kjo kornizë nuk reflekton nevojat reale te qytetarëve e as premtimet e bëra gjatë fushatës së koalicionit qeveritar, raporton EO.
Ajo shtoi se kjo kornizë afatmesme e shpenzimeve i përngjan një punimi mesatar seminarik.
“Kjo kornizë nuk reflekton nevojat reale të qytetarëve, por as premtimet e koalicionit qeverisës. Në këtë mandat qeverisës do të targetojmë norma të rritjes ekonomike prej 5 deri në 7 përqind thuhet në planin e qeverisë. Përderisa ata kanë paraparë rritjen deri në 7 përqind, ndërkaq në kornizën është planifikuar të jetë 5 përqind”.