Kryetari i PDK-së, Bedri Hamza fjalën e tij në Kuvend e nisi me çështjen e procesit gjyqësor në Hagë ndaj ish-krerëve të UÇK-së, por thotë se PDK do të ruaj vlerat që synojnë ngritjen e standardit dhe do të jetë gardiane e Kushtetueses, raporton Ekonomia Online.
“Është nder dhe përgjegjësi e madhe që sot të fillojmë punën në këtë legjislaturë në një moment kur qytetarët presin stabilitet, zhvillim ekonomik dhe institucione që punojnë me integritet dhe profesionalizëm, duke respektuar trashëgiminë e demokracisë dhe lirisë, e cila këto ditë po mbrohet edhe në gjykimin e themeluesve të UÇK-së, që njëherit janë edhe bashkëthemelues së bashku me shumë gra dhe burra të nderuar të kombit të vet, të Republikës së Kosovës. Fillimisht dua të potencoj që kjo seancë themeltare e legjislaturës së dhjetë është dëshmi e rrugës së vështirë që ka kaluar Kosova për të ndërtuar shtetin dhe demokracinë e saj. Sot detyra jonë është që këtë shtet ta forcojmë më tej përmes mbrojtjes së të vërtetës dhe drejtësisë në Hagë si një temë që sot dominon vëmendjen dhe ndërgjegjen e kujtdo që respekton luftën për liri dhe pavarësi. Natyrisht, kontributi ynë si deputetë në muajt dhe vitet e ardhshme duhet të bëhet patjetër edhe përmes politikave të përgjegjshme ekonomike, përmes mbështetjes së sektorit privat, përmes rritjes së mirëqenies sociale, një diplomacie më të urtë dhe të fokusuar në kthimin e mirëbesimit me aleatët dhe përmes garantimit të sundimit të ligjit për çdo qytetar. PDK dhe deputetët tanë do të jenë në ballë të ruajtjes së këtyre vlerave që synojnë ngritjen e standardit për të gjithë qytetarët, por edhe ringritjen e Kosovës në skenën ndërkombëtare në këtë situatë mjaft të komplikuar gjeopolitike”, tha ai.
Ai përmendi edhe sakrificë e familjes legjendar Adem Jashari e ish-presidentin Ibrahim Rugova.
“Zgjedhjet e dhjetorit kanë krijuar këtë përbërje të re parlamentare. Vota e qytetarëve të jep nderin më të madh në drejtimin e Kuvendit, të qenurit deputet por edhe të Qeverisë. Ky është një nder i cili po mbrohet nga Presidenti Hashim Thaçi, kryetari Kadri Veseli, kryetari Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi në gjykimin e padrejtë në Hagë, por si nder e ka rrënjët në sakrificën e shumë gjeneratave para nesh, përfshirë komandantin legjendar Adem Jashari dhe presidentin Ibrahim Rugova dhe shumë të tjerë që luftuan, përfshirë dhe familjen e nderuar Haradinaj që i kemi edhe kolegë në Kuvend”, nënvizoi ai.
Kryetari i PDK-së, Bedri Hamza, ka thënë se Partia Demokratike e Kosovës, do ta mbështes çdo iniciativë që është në interes të qytetarëve dhe të shtetit.
“E dëgjova ekapozen e Kurti. Është e saktë që janë rritë eksportet, por nuk është e mjaftueshme me u përmend që janë rritë eksportet pa i përmend që janë rritë importet. Qysh të themi t’lut, është thellu deficiti tregtar. Që shumë indikatorë financiarë dhe makroekonomikë nuk janë në trendin e duhur. Që likuiditeti në sektorin bankar është çdo ditë duke u zvogëlu. Si rezultat i zvogëlimit të likuiditetit, janë duke u rritur edhe normat e interesit. Sigurisht se borxhi i brendshëm mes ndërmarrjeve paraqet një çështje shumë serioze. Çështjen e lëvizjeve demografike duhet me e kuptu si shumë të drejtë përndryshe Kosova po zbrazet, si rezultat i zvogëlimit të natalitetit dhe emigracionit. Po besoj që këtu do të kemi mundësi që do t’i diskutojmë detajshëm në seancat e radhës. Dhe si Partia Demokratike e Kosovës, do ta mbështesim çdo iniciativë që është në interes të qytetarëve dhe të shtetit. Por njëkohësisht, këtu në Kuvend, në shesh dhe kudo, para qytetarëve do ta mbrojmë interesin publik dhe shtetëror të Republikës së Kosovës”, tha ai.
Hamza ka sigurua që do të jenë gardiane të rezistencës.
“Kjo përgjegjësi nuk është vetëm retorike, nuk është vetëm e projektuar në fjalimet e fushatave zgjedhore dhe postimeve në rrjetet sociale që fatkeqësisht shpesh kanë devijuar në polarizime shoqërore. Përgjegjësia që presim ne si PDK, por jam i bindur që edhe qytetarët tanë, aleatët dhe dashamirët e RKS duhet të përkthehet në disa pika themelore. Jam këtu t’iu garantoj se PDK do të vazhdojë të jetë gardiane e Kushtetutës dhe do t’i rezistojë çfarëdo tendence që mohon germën dhe frymën e Kushtetutës. Së dyti, PDK dhe shpresoj të gjithë deputetët e pozitës dhe opozitës do të bashkohemi të ndihmojmë pa mëdyshje, pa politizime, betejën”, tha ai.
