Ministri i Financave, Bedri Hamza, duke folur për planet e kornizës afatmesme të shpenzimeve 2019-21 tha se është i vetëdijshëm që secili sektor kërkon në vete financim të mirë, por në realitet për aq sa janë kushtet edhe ashtu financohet secili sektor.
“Të gjithë sektorët kanë nevojë për financim, por këto janë mundësitë. Shpenzimet e mjeteve, ligji i buxhetit është ligj na obligon të gjithëve me i respektu, ligji nuk mund të ndërrohet me vendime, është obligim i secilit që mjetet t’i shpenzojmë në përputhje të buxhetit të Kosovës”, tha Hamza.
“Kërkoj nga gjitha organizatat buxhetore që shpenzimet e parasë publike ta bëjnë në përputhje me buxhetin”, tha Hamza.
Ndërsa Ismajl Kurteshi, nga VV-ja, tha se arsimi është dashur të bëhet prioritet për Qeverinë e Kosovës dhe është dashur të ketë buxhetin më të madh në mënyrë që të ketë cilësi të mirë të arsimit në vend, raporton Ekonomia Online.
“Arsimi duket të jetë mirë, por në realitet gjendja është e keqe, sepse cilësia është e ulët dhe shkollave dhe fakulteteve tona iu mungojnë mjetet për punë dhe arsimi është i politizuar”, tha Ismajli.
“Ky kuvend më 17 janar 2017, përmes një rezolute, arsimin e patëm shpallë si prioritet kombëtar ku parashihej rritja e buxhetit, por asnjëra nga këto ende nuk janë jetësuar. Organizimi në përgjithësi kërkon ndryshime të thella në organizim dhe buxhet shtesë”, tha Ismajli.
Ismajli tha se nga buxheti varet cilësia e arsimit në Kosovë, duke filluar me sigurimin e mësimdhënësve të mirë, përgatitja e teksteve shkollore, etj.