Ministri i Financave, Bedri Hamza, priti sot në takim ambasadorin e Francës në Kosovë, Didier Chabert, së bashku me delegacionin e Agjencisë Zhvillimore të Francës, të kryesuar nga menaxheri i vendeve të Ballkanit Perëndimor, Dominique Hautbergue.
Me këtë rast, ministri Bedri Hamza falënderoi për mbështetjen që shteti francez i ka dhënë deri më tani Kosovës, në drejtim të zhvillimit ekonomik dhe në përgjithësi shtet ndërtimit të Kosovës dhe njëkohësisht ju uroi mirëseardhje për vizitën e parë të këtij delegacioni në Republikën e Kosovës.
Ministri Hamza e njoftoi delegacionin për stabilitetin makro fiskal, zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik si dhe për politikat zhvillimore për sektorin privat, në veçanti duke pasur parasysh edhe përgatitjen e Buxhetit për vitin 2018.
Sipas komunikatës për shtyp të MF-së, Hamza e informoi delegacionin e Francës, që përkundër zhvillimeve pozitive që kanë ndodhur në vendin tonë, Kosova ka nevojë dhe kërkesa për mbështetje të mëtutjeshme në zhvillim të infrastrukturës dhe gjithashtu shprehu gatishmërinë që të ofrojë bashkëpunim të ngushtë të Ministrisë së Financave për Agjencinë Zhvillimore të Francës, në projekte që janë me prioritet për vendin tonë.
Ambasadori i Francës në Kosovë, Didier Chabert, falënderoi ministrin për pritjen dhe vlerësoi lartë të arriturat e Kosovës në stabilitetin makro fiskal dhe gjithashtu shprehu gatishmërinë për të thelluar edhe më tej bashkëpunimin ndërmjet dy shteteve dhe pikërisht për këtë arsye sot delegacioni i Agjencisë Zhvillimore të Francës është prezent në Kosovë.
Ndërsa, menaxheri i Agjencisë Zhvillimore të Francës për vendet e Ballkanit Pperëndimor, Dominique Hautbergue, duke vlerësuar situatën aktuale të qëndrueshme në Kosovë, ofroi mbështetje në fushën e zhvillimit ekonomik dhe social për Kosovën përmes fondeve të ndryshme me qëllim të rritjes së punësimit dhe ofrimit të ndihmës Kosovës në rrugën e integrimit në Bashkimin Evropian.
Në fund të dy palët u pajtuan që të identifikohen projektet potenciale me prioritet për zhvillim të vendit tonë dhe të procedohen për implementim.