Ministri i Financave Berdi Hamza, në një intervistë për Telegrafin ka folur për buxhetin e vitit 2019, rritjen e pagave, pensioneve, skemave sociale dhe stabilitetin financiar të vendit.
Hamza ka thënë se shteti i Kosovës është stabil dhe i qëndrueshëm financiarisht, derisa ka kritikuar komunat për përformacë të dobët në grumbullimin e të hyrave.
Ministri i Financave ka thënë se presin përmbushje të planit të të hyrave për këtë vit. Dinamika e shpenzimeve ka thënë Hamza se është e kënaqshme, por ka mundësi të përmirësimit.
“Të shpenzimet kapitale është duke u vërejtur një ngecje që janë të financuar nga institucionet financiar ndërkombëtare, mirëpo organizatat buxhetore të cilat kanë projekte brenda linjave buxhetore duhet t’i përgatisin dhe t’i realizojnë me kohë. Ridestinimi i mjeteve do të bëhet në përputhje me ligjin sepse ka ngecje sidomos të subvencionet dhe transferet për veteranët dhe në çështje të tjera. Por në përgjithësi buxheti i vitit 2018, pritet të mbyllet mirë”, tha ministri i Financave, Berdi Hamza.
Ai ka folur edhe për buxhetin e vitit 2019, i cili sipas tij, do të jetë më i madh në Kosovën e pas luftës.
“Buxheti për vitin 2019, te pjesa e të hyrave, duke përfshirë të gjitha burimet, do të jetë 2.37 miliardë euro, ndërsa të pjesa buxhetore do të jetë 2.65 miliardë euro. Të hyrat kryesore do të vijnë nga pranimet e rrepta, që pritet të janë 1.94 miliard euro, kemi investime që vijnë përmes klauzolës së investimeve me 121 milionë euro, 141 milionë euro janë të parapara nga mjetet e likuidimit përmes Agjencisë Kosovar të Privatizimit dhe një pjesë do të jetë huazime nga Letrat me Vlerë”, tha ai.
Hamza ka treguar se prioritet në buxhetin për vitin e ardhshëm, i kanë dhënë arsimit, shëndetësisë, por edhe rendit e ligjit.
“Me Buxhetin për vitin 2019 shpenzimet kapitale e arrijnë vlerën prej 770 milionë euro, apo 33 për qind e totalit të buxhetit. Një pjesë e obligimeve nga shpenzimet kapitale do të mbesin të paguhen mbi bazën e marrëveshjes së kontratave edhe për vitin e ardhshëm, pastaj është autostrada për Gjilan, autostrada Prishtinë-Pejë, pjesa tjetër është Prishtinë-Mitrovicë dhe shumë rrugë të tjera”, tha ai.
Ministri Bedri Hamza ka thënë se çështja e rritjes së pagave për sektorin, do të trajtohet vetëm me Ligjin për Pagat.
Ai tha se pagesat e rregullta me kompaninë Bechtel-Enka janë duke i kryer me kohë.
Hamza në këtë intervistë ka folur edhe për mundësin e faljes së borxheve si edhe për raportet aktuale të Qeverisë së Kosovës me Fondin Monetar Ndërkombëtar.