Hamza merr pjesë në takimin rajonal të ministrave të Financave në Shkup

Prishtinë | 31 Tet 2018 | 16:20 | Nga Ekonomia Online

Ministri i Financave Bedri Hamza gjendet për vizitë zyrtare në Maqedoni, ku me ftesë të  Ministrit të Financave të Maqedonisë Dragan Tevdovski dhe zëvendëspresidentit të Bankës Botërore Cyril Muller, po merr pjesë në takimin rajonal të Ministrave të Financave, me temën “Nxitja e zhvillimit ekonomik përmes zhvillimit të kapitalit njerëzor në vendet e Ballkanit perëndimor”,  i cili po mbahet në Shkup të Maqedonisë.

Hapjen e këtij takimi e bëri kryeministri i Maqedonisë Zoran Zaev cili përshkroi gjendjen e përgjithshme të investimeve në Republikën e Maqedonisë në kapitalin njerëzorë, duke theksuar se “është shumë e rëndësishme që të gjitha shtetet e Ballkanit pa dallim të investojnë në kapitalin njerëzor për një zhvillim më të qëndrueshëm ekonomik në këtë rajon të Ballkanit”.

Ndërsa, ministri i Financave të Republikës së Kosovës Bedri Hamza theksoi se në Kosovë në dy vitet e fundit rritjen e buxhetit e kemi koncentruar në investimet në  fushën e arsimit, shëndetësisë dhe në çështjet sociale.

Ministri Hamza gjithashtu shtoi se në fazat e ardhshme të politikë-bërjes sonë patjetër duhet të fokusohemi tek investimi në dije, pra në kapitalin njerëzorë, dhe tek forcimi i institucioneve shoqërore.  Sipas ministrit Hamza, këtë më së miri mund ta bëjmë përmes politikë-bërjes të orientuar nga rezultatet, të cilat edhe pse do të jetë më vështirë të maten, mund të adresojnë më direkt sfidat tona zhvillimore.

“Rritja ekonomike e vendeve tona gjatë viteve të fundit ka qenë mjaft inkurajuese, por duke qenë se kemi dallim substancial me vendet e Bashkimit Evropian, aty ku të gjithë ne synojmë të jemi, ne duhet të ndryshojmë modelin tonë të rritjes ekonomike, për të mundësuar një zhvendosje, respektivisht “kërcim” të konsiderueshëm në raport me rritjen e deritanishme”, shtoi ministri Hamza.

Ai gjithashtu bëri të ditur se Kosova në dokumentin e saj më të lartë strategjik, e që është “Strategjia Kombëtare për Zhvillim”, ka renditur zhvillimin e kapitalit njerëzorë, si shtyllën kryesore të kësaj strategjie.

Në këtë takim, ministri Bedri Hamza veçoi edhe një fenomen me të cilin po ballafaqohen të gjitha vendet e Rajonit, që sipas tij është ikja e trurit nga vendet tona.

“Ne duhet të investojmë që ta zhvillojmë sektorin privat në mënyrë që të jetë bartës i zhvillimit ekonomik dhe ky sektor të motivoj të rinjtë dhe të rejat për punësim,  dhe mos të shikohet sektori publik si mundësi e vetme për punësim. Kemi bërë progres por që kemi ende punë përpara nesh për ta thelluar këtë zhvillim” ka shtuar ministri Hamza.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme