Guvernatori i Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës, Bedri Hamza, bashkë me ministrin e Financave, Avdullah Hoti, dhe delegacionin e Kosovës mori pjesë në takimet e rregullta vjetore të Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN) dhe të Bankës Botërore (BB), të cilat po zhvilluan në Uashington ndërmjet datave 5-9 tetor.
Përveç pjesëmarrjes në sesionin plenar të FMN-së dhe BB-së, guvernatori Hamza zhvilloi takime edhe me zyrtarët më të lartë FMN-së dhe BB-së. Ai po ashtu, mori pjesë edhe në mbledhjet e Konstituencës për Evropën Qendrore dhe Lindore në FMN dhe të Konstituencave përkatëse të FMN-së dhe Bankës Botërore.
Gjatë këtyre aktiviteteve të zhvilluara, zyrtarët e lartë të FMN-së dhe të Bankës Botërore në diskutimet me delegacionin e Republikës së Kosovës kanë vlerësuar të arriturat e deritashme dhe progresin e shënuar në sektorin financiar dhe realizimin e detyrave në kuadër të Programit me FMN-në, si dhe rritjen e efiçiencës në zbatimin e projekteve të ndërlidhura me Bankën Botërore.
Gjatë këtyre takimeve delegacioni i Kosovës ka marrë mbështetje dhe premtime që asistenca për institucionet e Kosovës do të vazhdojë edhe në të ardhmen.
Gjatë qëndrimit në Uashington guvernatori Hamza është takuar edhe me zyrtarë të Departamentit të Thesarit Amerikan, homologë të bankave qendrore nga vende të ndryshme, si dhe me përfaqësues të institucioneve të tjera financiare ndërkombëtare.
Me këtë rast, Guvernatori Hamza ka pasur takime me Ibrahim Canakci, drejtor ekzekutiv i Konstituencës së Kosovës në FMN, zëvendësdrejtorin menaxhues të FMN-së, Tao Zhang, Ellein Goldstein, drejtore e Bankës Botërore për Ballkanin Perëndimor, Cyril Muller, zëvendëspresident i Bankës Botërore për Evropën Qendrore dhe Rajonin e Azisë, Paul Thomsen, drejtor i Departamentit Evropian në FMN, Franc Godts drejtor ekzekutiv në Bankë Botërore, si dhe me Lary McDonald nga Departamenti për Asistencë Teknike i Thesarit Amerikan.