Kryetari i Grupit Parlamentar të PDK-së, Bedri Hamza ka kërkuar nga qeveria të ndihmojë bizneset dhe t’iu dale në ndihmë punëtorëve të sektorit privat. Hamza në një konferencë për medie ku ka folur për dëmet ekonomike që i sjellë gjendja e krijuar nga pandemia e Coronavirusit, ka treguar hapat që duhet të marrë Qeveria për tejkalimin e kësaj situate.
Hamza ka thënë se qeveria duhet t’i stimulojë bizneset në mënyrë që të mos bankrotojnë. Sipas tij, ndërmarrjet e vogla rrezikohen në qoftë se, nuk u paguhen pagat.
“Të gjithë të punësuarve në sektorin privat ju ka pamundësuar të realizojnë të ardhura për vetën dhe familjet e tyre. Shteti t’ua bëjë pagesat mbi një pagë minimale. Shteti ka pare, nuk është e saktë që janë shpenzuar rezervat. Ka para për me marrë masa stimuluesve dhe me u fokusu te sektori privat. Pagesën për pagat për aq sa zgjatë kjo, mbi pagën minimale dhe pjesë tjetër të jetë i stimuluar biznesi sepse rrezikohen ndërmarrjet e vogla dhe të mesme”, tha Hamza.
Hamza ka folur rreth buxhetit të vitit 2020 të qeverisë Kurti duke thënë se është proceduar në mënyrë klandestine dhe nuk i ka reflektuar nevojat e situatës aktuale.
“Situata e krijuar nga koronavirusi përveq aspektit shëndetësor ka krijuar një situatë ekonomike që rrezikon që recesioni të jetë shumë i madh. Qeveria e ka aprovuar buxhetin për vitin 2020, për mënyrën si është procesuar ka qenë një procedurë e trafikuar klandestine. Buxheti për vitin 2020 është deshtë me reflektu nevojat e situatës aktuale. Shumë shpejt duhet të ndodhë rishikimi i buxhetit. Sado që vonohemi kostoja do të jetë më e madhe”, ka thënë Hamza.
Hamza ka thënë se propozimi i tyre është që duhet të ketë stimuj konkretë për sektorin privat.
“Të gjithë të punësuarve në sektorin privat iu është pamundësuar paga minimale. Nuk mjafton vetëm evidentimi i situatës, kemi nevojë për masa konkrete. Përveç stimulimit dhe pagesave në sektorin privat duhet të jenë në konsideratë edhe sektori publik. Kapitali për rritjen e kredive në rastin e realizimit, duhet të lehtësojë qasja në financa. Përveç kësaj, të gjitha institucionet së bashku me BQK-në të kenë një pushim nga pagesa për një periudhë të caktuar kohore. Kamatat duhet të lirohen. Njerëzit nuk mund të penalizohen edhe në rast të vonesave të dënohen”, tha Hamza.
“ Propozimi jonë është që duhet të ketë stimuj konkretë për sektorin privat. Shteti duhet tua bëjë pagesën e të ardhurave si paga mesatare. Shteti ka para, ka likuiditet për të marrë masa simulantëve. Të stimulohen punëtorët dhe bizneset. Nuk guxojmë të lejojmë që bizneset tona të bankrotojnë”, tha ai.
Përveç për sektorin privat, ai tha se duhet të ketë stimulime edhe për disa profesione në sektorin publik, si mjekët, infermierët, policët e zjarrfikësit.
Hamza ka kërkuar në këtë konferencë që të krijohet një fond që i mbështet pensionistët, familjet në nevojë. Ai ka thënë se duhet të krijohet një fond për Ministrinë e Shëndetësisë, atë të Mbrojtjes dhe për Policinë. Hamza ka kërkuar po ashtu që të moshuarve t’u paguhen të gjitha medikamentet.
“Sa i përket aspektit social, pensionistët janë më të rrezikuarit dhe duhet të furnizohen me medikamente dhe duhet të përkrahen më shumë. Personave mbi moshën 60 vjet duhet t’iu rimbursohen të gjitha medikamentet. Nuk jemi në situatë normale prandaj këto janë masa të domosdoshme”, tha ai.