Deputetja, Albulena Haxhiu, tha se ligji për paga dhe shumë amandamente nuk janë të përfshira në buxhetin e vitit 2019, ndërsa tha se ai prek edhe sektorin e drejtësisë dhe sipas saj në të ka edhe parregullsi, teksa ka kërkuar që të adresohen më shumë aspekte që janë të rëndësishme për qytetarët.
“Ligji për paga nuk është paraparë, buxhet për të, po çka nëse hyn në fuqi këtë vit apo vitin tjetër”.
“Siç po gjeni para për ata zëvendësministra që e kanë mbërri numrin 100, siç i keni gjetë paratë për Bechtel Enkan, siç i keni gjetur paratë për vendimin e paligjshëm për rritjen e pagave, gjeni paratë edhe për projektligjet që janë të rëndësishme për qytetarët e Kosovës”.
“Sa i përket rritjes së buxhetit të Këshillit Gjyqësor dhe atij Prokurorial është për shkak të vendimit të paligjshme për rritjen e pagave, që ka impliku edhe rritje të pagave të gjyqtarëve dhe prokurorëve, jo për diçka tjetër”.
Ministri i Financave, Bedri Hamza, ka replikuar deputeten Haxhiu, duke thënë se ka pasur rritje të buxhetit në sektorin e drejtësisë, ndërsa ka numëruar ato. Ai ka thënë se buxheti në këtë sektor është rritur nga viti në vit, ndërsa shtoi se beson që edhe numri i lëndëve do të zvogëlohet.
“Nëse e marrim buxhetin e Ministrisë së Drejtësisë dhe krahasojmë vitin 2017 me 2019, prej 17 milionë në 18 milionë, ka shku në 23 milionë. Nëse shkojmë te Këshilli Prokurorial në 2017, 8 milionë, në vitin 2018, 11 milionë, vitin 2019, 14 milionë. Nëse shkojmë tek Këshilli Gjyqësor i Kosovës, 2017, 19 milionë, 2018, 23 milionë, 2019, 28 milionë. Nëse e marrim numrin e të punësuarve në raport me numrin e aprovum aktual të të punësuarve, Ministria e Drejtësisë i ka edhe 216 pozita të aprovuara të paplotësume. 283 Këshilli Gjyqësor i Kosovës, Këshilli Prokurorial 93 pozita të aprovume të paplotësume. Kur t’i plotëson këto pozita, nëse ka arsyeshmëri të qëndrueshme ne do t’i kemi në konsideratë. Besoj që pajtohemi se buxheti është rritë, por edhe numri i lëndëve që presin me u zvogëlu”.