Hani i Elezit po përballet me problemin e menaxhimit të ujit, përkundër faktit se në këtë komunë ka ujë të mjaftueshëm.
Kryetari i kësaj komune, Refki Suma, në një prononcim për Ekonomia Online, tha se problemi me menaxhimin e ujit qëndron tek niveli qendror i cili nuk po i lejon që komuna t’i marr këto kompetenca.
“Problemi kyç është çështja e ujit, që Hani i Elezit ende nuk ka menaxhim të ujit jo pse ndoshta nuk ka ujë të mjaftueshëm për shkak se kemi dy burime të ujit, ka sasi të mjaftueshme të ujit, unë mendoj që krejt kjo qëndron se nuk ka menaxhim të ujit. Ne jemi në gjendje të menaxhojmë por niveli qendror nuk na lejon neve që të menaxhojmë duke u bazuar në atë që kjo është kompetencë e kompanive regjionale në menaxhimin e ujit”.
“Në anën tjetër kompania regjionale asnjëherë nuk e ka parë të udhës që të vjen dhe të menaxhoj me këtë çështje, edhe përkundër obligimit ligjor. Kohëve të fundit që dy vitet e fundit që vazhdimisht kemi nënshkruar marrëveshje të mirëkuptimit që ata të menaxhojnë ata prapë se prapë nuk ka diçka konkrete”, tha ai.
Si problem tjetër i kësaj komune sipas kryetarit Suma është edhe heqja e azbestit si dhe problemi i infrastrukturës në disa rrugë.
“Kemi probleme të tjera me lëmin e ambientit. Janë dhënë më tepër se 1 milion e 200 mijë euro për largimin e azbestit përgjatë brigjeve të lumit Lepenc dhe përkundër projektit që ka vazhdu për 3 vite e më tepër, jo vetëm që nuk është hequr aty ku ka, por megjithatë është dëmtuar një fushë e futbollit që ende nuk është riparuar që është dashtë të kthehet në gjendjen e mëparshme, janë dëmtuar kanalizime, rrugë, dhe azbesti në shumicën e vendeve është në sipërfaqe”.
“Kemi edhe çështje tjera të infrastrukturës rrugore edhe pse gjendja në infrastrukturë është më e mirë, megjithatë ka nevojë edhe në disa vende tjera ku nuk e kemi kry ti përfundojmë”, tha ai për EO.