Burgu i Reçit në qarkun e Shkodrës ka nisur nga puna. Ai është përuruar sot, me një ceremoni në të cilën kanë marrë pjesë zyrtarë shtetëror vendës dhe përfaqësues të pranisë ndërkombëtare në Tiranë.
Ky institucion është ndërtuar me bashkëfinancimin e Bashkimit Europian me një vlerë prej 14,37 milionë euro dhe Qeverisë Shqiptare me 4 milion euro. Ai ka një kapacitet prej 780 të dënuarish dhe të paraburgosurish, bën të ditur ATSh.
Ministrja e Drejtësisë, Etilda Gjonaj në fjalën e saj theksoi se hapja e këtij institucioni do të ndikojë në mënyrë të ndjeshme në uljen e fenomenit të mbipopullimit në sistemin e burgjeve, çka është aktualisht një nga problematikat më të mprehta në sistemin penitenciar.
Ambasadorja e Delegacionit të Bashkimit Evropian, Romana Vlahutin u shpreh se “sundimi i ligjit është në thelb të partneritetit dhe dialogut tonë politik dhe është po aq në qendër të mbështetjes që Bashkimi Evropian i jep Shqipërisë. Është në thelb të asaj që qytetarët shqiptarë kërkojnë nga autoritetet”.
Burgu i ri në Reç të qarkut Shkodër plotëson të gjitha kushtet dhe standardet e trajtimit të personave të paraburgosur dhe të dënuar. Ato i përafrohen standardeve të Bashkimit Evropian, në lidhje me akomodimin, sistemet e ngrohjes, regjimin e aktiviteteve ditore, aktiviteteve sociale, kulturore, edukimit, si dhe atyre sportive etj.
Gjithashtu ky institucion ka në dispozicion ambiente për reparte pune për punësimin e të burgosurve, kushte bashkëkohore të kuzhinës, lavanderisë, ambiente të kujdesit shëndetësor, si ndihma e shpejtë, urgjencë, farmaci, etj.