Në Bibliotekën Kombëtare “Pjetër Bogdani”, është hapur ekspozita “Veronikë 20 vjet” me fotografi dhe reportazhe të autorit Hazir Reka.
Fotografitë janë të shkrepura nga viti 1998 deri në përfundim të luftës dhe përmes tyre tregohen tmerret e përjetuara nga shqiptarët gjatë luftës së fundit në Kosovë.
Nerimane Kamberi – Reka profesoreshë në Departamentin e Gjuhës Frënge dhe bashkëshortja e fotografit Reka tha se kjo ekspozitë rikthen në kujtesën e shqiptarëve tmerrin dhe vuajtjet e përjetuara 20 vjet më parë.
“Ekspozita e fotografive të Hazir Rekës është ilustruese e një ngjarje më të madhe kulturore dhe gazetareske. Memoria kolektive ngjarjet të cilat i kanë përjetuar shqiptarët ndër vite, por sidomos 20 vitet e fundit, jemi përqendrua kryesisht në 98 kur kanë ikur shqiptarët në malet e Kishnarekës dhe në rrëfimin e një vajze e cila ka lindur në mal dhe është bërë personazh i reportazhit të gazetares zvicerane Veronik Paske e cila gjithashtu ja ka lan emrin, sot vajza quhet Veronikë”, ka thënë ajo.
Veronikë Zeka, vajza e cila është protagonistë në këtë ekspozitë, u shpreh e mahnitur me ndryshimet që kanë ndodhur 20 vjet pas realizimit të fotografive nga Hazir Reka.
“Sot këtu jemi në ekspozitën ‘Veronikë 20 vjet’ me foto të bëra nga fotografi Hazir Reka, për mua janë mjaftë interesante tash mi pa se gjatë kësaj kohe dhe ka shumë ndryshime të mëdha”, tha ajo.
Fotografi Hazir Reka nuk ishte i pranishëm në këtë ekspozitë.