Shoqata “KrAgiKozvak Karikatura dhe Arti i Kosovës” njofton se ka filluar organizimin e Festivalit të Dytë Ndërkombëtar të Karikaturave në Kosovë.
Konkursi i festivalit është hapur më 26 gusht 2016 dhe do të zgjasë deri më 15 tetor 2016. Të drejtë pjesëmarrjeje kanë karikaturistët nga të gjitha vendet e botës. Ndarja e shpërblimeve dhe ekspozita e karikaturave të këtij festivali është paraparë të mbahet në mes të muajit nëntor 2016 në Kosovë.
Pasi Shoqata “KrAgiKozvak” është themeluar në bashkëpunim me Shoqatën “Kozvak Kozan” nga Adana në Turqi, do të mbahet edhe eventi i dytë në Adana në fillim të muajit dhjetor.
Bashkëpunimi me “Kozvak Kozan” është bërë po ashtu me qëllim të vëllazërimit të këtyre dy qyteteve, thuhet në një komunikatë të kësaj shoqate.
Projekti i radhës i paraparë të mbahet gjatë muajit maj 2017 ka të bëjë me Festivalin për Fëmijë, me ç’rast do të hapet një konkurs karikaturash me temën “Komunikacioni”.
Fituesi i Prishtinës do të shkojë në Adana në një event special për fëmijë, kurse fituesi i Adanas do të vijë në Prishtinë më 1 Qershor – në Ditën Botërore të Fëmijëve.
Festivali i Karikaturave organizohej nga shoqata shumëvjeçare “Thumbi”. Por, në komunikatën e “KrAgiKozvak” thuhet se për shkak të mosangazhimit, mosinteresimit dhe mospjesëmarrjes në mbledhjet e shoqatës “Thumbi”, drejtori i shoqatës, Agim Krasniqi, me pëlqimin e departamentit të OJQ-ve në Ministrinë e Administratës Publike ka sjellë vendimin për shuarjen e shoqatës “Thumbi” dhe vazhdimin e aktiviteteve të karikaturës në shoqatën e re “KrAgiKozvak”.
Më poshtë gjeni disa nga karikaturat konkurruese: