Hapet në Tiranë ekspozita e Flaka Halitit, të pranishëm edhe 3 ministrat shqiptarë të kulturës

Prishtinë | 10 Sht 2018 | 15:36 | Nga

Në hapjen e ekspozitës së artistes Flaka Haliti në Galerinë Kombëtare të Arteve në Tiranë, të pranishëm ishin edhe tre ministrat e Kulturës: Shqipërisë, Kosovës dhe Maqedonisë.

ATSH bën të ditur se zhvilluan një takim informal, që, sipas ministres Mirela Kumbaro, ishte i një rëndësie të veçantë. Kështu, në ceremoninë e hapjes Kumbaro u takua me ministrin e Kulturës, Rinisë dhe Sportit të Kosovës, Kujtim Gashi, si dhe me ministrin e Kulturës së Maqedonisë, Asaf Ademi.

“Në takim u diskutua për një bashkëpunim më të frytshëm kulturor midis tri vendeve, për krijimin e një trekëndëshi komunikimi kulturor që do të jetë bazë për forcimin e marrëdhënieve edhe në fushat e tjera”, thotë ministrja Kumbaro.

Në këtë ngjarje artistike të rëndësishme në fushën e arteve pamore në Tiranë morën pjesë artistë, artdashës, profesionistë të kulturës nga Shqipëria dhe Kosova si dhe vizitorë të ardhur nga jashtë dhe përfaqësues të institucioneve ndërkombëtare që jetojnë në Shqipëri,

Flaka Haliti shprehu emocionet e saj për hapjen e kësaj ekspozitë, dhe falenderoi edhe një herë Ministritë e Kulturës së Shqipërisë dhe Kosovës që bënë të mundur realizimin e “Këtu – Apo Atje, Është Më Atje” në Galerinë Kombëtare të Arteve. Artistja e sheh këtë bashkëpunim midis dy qeverive si një mundësi shumë të mirë për artistët nga Shqipëria dhe Kosova për të ndarë përvojat e tyre në fushën e arteve pamore dhe për tu prezantuar tek publiku i të dy vendeve.

Flaka falënderoi gjithashtu të gjithë stafin e Galerisë për punën e tyre dhe dedikimin maksimal në këtë ekspozitë.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme