Në sheshin “Adem Jashari” në Prishtinë u bë hapja e panairit me produkte vendëse, raporton Ekonomia Online.
Ky panair po zhvillohet në kuadër të aktiviteteve për shënimin e 11-vjetorit të Pavarësisë.
Po vendi që u është caktuar që t’i ekspozojnë produktet e tyre nuk po iu pëlqen prodhuesve.
Hamdi Abdullahu nga shoqata “Dyer e vyera”, tha se vendi ku është zgjedhur që të mbahet ky panair nuk është i përshtatshëm për shkak të frekuentimit nga qytetarët.
“Prezantohem me produkte si gatime, konservime me të gjitha duke filluar prej flisë deri te bakllavaja. Shoqata jonë verës sezonalë i ka 4 punëtore, por tash punon vetëm gruaja”.
“Janë fitimprurëse, por varet nga vendi ku mbahet panairi, këtu është shumë dobët e në vendet tjera është më mirë”.
Për Abdullahun, Sheshi “Zahir Pajaziti”, do ishte më adekuat për mbajtjen e panairit.
“Sheshi ‘Zahir Pajaziri’ do ishte më i mirë për panaire. Njerëzit janë të interesuar për panaire, ka filluar mirë vetëdijesimi i popullatës, pasi që ajvari tek ne shitet 5 euro ndërsa në markete 1 euro e gjysmë, por dallimi është i madh”.
Ilir Jusfi, i cili vjen nga Peja për të prezantuar produktin e tij e që është rakia, tha se interesimi për blerje të këtyre produkteve është i madh, por që vendi nuk plotëson kushtet, raporton Ekonomia Online.
“Unë prezantohem me raki, është prodhim i Pejës, i kemi të gjitha llojet e rakive si raki rrushi, kumbull, raki thane, ftoni, kajsie dhe mjalti, si dhe raki arre”.
“Interesimi është, por nuk po kemi vende ku me prezantuar produktin, vende më të mira më adekuate, kush e pinë një herë e di cilësinë e rakisë ‘Borea’”.
“Merrem qe 3 vjet me këtë prodhim, panairet na ndihmojnë, por më shumë varet prej vendit dhe lokacionit, sot në këtë vend nuk ka shenja që do ketë diçka”.
Shehide Restelica, e cila në këtë panair prezantohet me produktet si turshi dhe ushqime të tjera të konservuara, tha se ky panair i ndihmon shumë asaj që ta zhvillojë biznesin e saj.
“Jam pjesë e panairit te kompania ‘Hida’. Prezantohem me prodhime, si me speca turshi, dardha turshi, receta të të gjitha llojeve”.
“Këto i përgatit vetë dhe i kam 4 punëtore, panairet janë shumë të mirëseardhura sepse na ndihmojnë shumë, këto i bëj me financa të mia”.
“Në vjeshtë ka shumë interesim më shumë pasi produkti shitet më shumë. Interesat janë të shumta, të gjitha i preferojnë, por edhe fitimi nuk është i madh, por profesionin e du shumë”, tha Restelica.