Komuna e Ferizajt, ka organizuar panair me veshje kombëtare, punime dore dhe ushqime tradicionale.
Qëllimi kryesor i këtij panairi është ruajtja e identitetit kombëtar.
Përmes këtij panairi, që karakterizohet për veshje kombëtare, punime dore e ushqime tradicionale, bashkatdhetarëve do t’u prezantohet tradita shqiptare.
Nga afër të gjithë prodhuesit vendor i ka vizituar numri një i qytetit të Ferizajt, Muharrem Svarqa, i cili edhe ka shijuar disa nga prodhimet vendore.
Ndërsa në hapjen zyrtare të panairit, kryetari i Komunës së Ferizajt, Muharrem Svarqa, është shprehur se ky panair ka rëndësi shumë të madhe për të gjithë qytetaret ferizajas.
“Ky panair është tepër i rëndësishëm sepse po bëhet promovimi i produkteve vendore të cilat po kultivohen jo vetëm në Komunën e Ferizajt, e cila ka një potencial të jashtëzakonshëm për zhvillimin e bujqësisë. Por duke pasur parasysh potencialet e Ferizajt si një qendër e rëndësishme e Kosovës, qeveria komunale po bën gjithçka që është e mundur që të bëjë subvencionimin dhe intensifikimin, nxitjen e prodhimeve bujqësore si produkte për banorët tanë, por gjithashtu produkte edhe mallra që destinohen për jashtë, i cili treg më shumë po pranon prodhime bujqësore nga Kosova, si produkte mjaft konkurrente për nga kualiteti, cilësia si dhe nga shijimi”, ka thënë kryetari Svarqa,
Sipas tij, për të qenë edhe një potencial i mundshëm për hapjen e vendeve të reja të punës, sepse të gjithë këta përfaqësues të panaireve, po tregojnë për mungesën e punëtoreve përkundër asaj ne evidencat tona që kemi numër të madh të pa punëve.
Gjithashtu ai tha se komuna e Ferizajt, ka subvencionuar në vazhdimësi të gjitha degët e bujqësisë, por përfundimisht ka ardhur një gjendje që të krijojë mundësinë për kalimin nga bujqësia ekstensive në bujqësi intenzive përmes subvencionimit të kamatave, përmes Bankës për Biznes, tek të cilët ne si përfitues kemi plasuar afër 600 mijë euro për kamat me të cilat ne synojmë që të vëmë në qarkullim 5 milion në dobi të bizneseve dhe të krijojmë një bujqësi konkurrente një bujqësi që do të zgjidh problemin e ekzistencës për familjet që merren me këtë veprimtari.
Panairi organizohet në kuadër të “Ditëve të Diasporës”, ku moto kryesorë e saj është ‘Ti je pjesë e atdheut”.
Panairi është tre ditorë , ndërsa do të marrin pjesë mbi 20 prodhues e shoqata nga Kosova dhe viset tjera shqiptare.