Komuna e Prishtinës hapi Qendrën e Mjekësisë Familjare në Tophane, në objektin ku më parë ka qenë e vendosur Gjykata e Qarkut. Në hapje të kësaj qendreje, krahas kryetarit të Komunës, Shpend Ahmeti, si dhe drejtorit të Shëndetësisë, Arben Vitia, ishte i pranishëm edhe kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj.
Mjediset e Qendrës së Mjekësisë Familjare në Tophane tanimë janë sipas standardeve më bashkëkohore, thuhet në një komunikatë të Komunës.
Sipas zyrtarëve komunalë, duke e pasur parasysh edhe angazhimin e stafit profesional, tani e tutje qytetarëve do t’iu ofrohen shërbime shumë më cilësore.