Hapet rruga drejt shkëlqimit olimpik

Prishtinë | 10 Shk 2020 | 08:55 | Nga Ekonomia Online

Xhudiste elitare botërore janë mposhtur nga Distria Krasniqi e Nora Gjakova, që kanë hapur edhe më tej rrugën drejt shkëlqimit në skenën më të madhe – në Lojërat Olimpike. Të shtunën, Distria Krasniqi fitoi medaljen e artë, ndërsa Nora Gjakova medaljen e bronztë në Grand Slamin e Parisit, që njihet si gara më prestigjioze e xhudos.

Distria Krasniqi (24) për herë të parë ka fituar medalje të artë në garat Grand Slam. Ajo në Paris kishte të argjendtë nga viti i kaluar dhe dy të bronzta më herët. Tani e ka edhe të artën. Ndërkohë, Nora Gjakova (27) ka fituar medaljen e saj të parë në Paris, shkruan Koha Ditore.

Suksesi në Paris nuk i ndikon Krasniqit direkt në përmirësim të pozitës për Lojërat Olimpike “Tokio 2020”, me të cilën garë lidhen të gjitha synimet e xhudisteve kosovare. Ajo fitoi të artën në kategorinë deri 52 kilogramë, e jo në kategorinë e saj të zakonshme, atë deri 48 kilogramë. Kjo nënkupton që pikët i fiton për kategorinë deri 52 kilogramë, e jo në atë deri 48 kilogramë që do t’i mundësonte të përparojë në ranglistë. Për shkak se garoi në kategorinë prej së cilës është larguar shumë kohë më parë, Distria ishte vetëm e 25-ta në listën e bartëseve. Pra në letër nuk ishte në mesin e favoriteve. Ajo në kategorinë deri 52 kilogramë, është e 48-ta në ranglistën botërore, derisa në kategorinë deri 48 kilogramë është e dyta.

Krasniqi megjithatë, shfaqi potencialin duke fituar të artën në Paris. Ajo mposhti xhudiste nga Algjeria e Franca për të siguruar përballjen me japonezen Ai Shishime, ish-kampionen e botës. Pasi e kaloi atë, e mposhti në gjysmëfinale brazilianen Sarah Menezes, ish-kampionen olimpike. Në finale, Distria ishte më e mirë se italiania Odette Giuffrida, finaliste në Olimpiadën e fundit.

Sajti i IJF-së ka shkruar se Krasniqi ishte zëvendësim i vonshëm për Majlinda Kelmendin në kategorinë deri 52 kilogramë. Ishte pritur që Majlinda të garonte në Paris, por trajneri Driton Kuka në çastet e fundit, vendosi të pushojë atë. Kuka të dielën ka thënë se nuk ka arsye për brengosje për mungesën e Majlindës në këtë garë. Ai ka treguar edhe pse Distria garoi në kategorinë deri 52 kilogramë e jo në atë deri 48 kg. Në fakt, Distria vlerësohet se ka ndërtimin trupor për kategorinë deri 52 kg. Por për të ndjekur ëndrrën olimpike, ajo është detyruar të zhvendoset në kategorinë deri 48 kilogramë, pasi kategoria deri 52 kilogramë vlerësohet të jetë e Majlindës. Në Olimpiadë nga një vend paraqitet vetëm nga një xhudiste në kategori.

Të ngjashme